Lidhje

Lista Serbe i jep fund bojkotit


Më tre shkurt, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shkarkoi ministrin për kthim dhe komunitete Aleksandër Jablanoviç, i cili mohoi krimet e luftës në Kosovë

Pas më shumë se dy muajsh bojkotimi, përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, vendosën të kthehen në parlamentin dhe qeverinë e Kosovës.

Në një komunikatë të kësaj liste thuhet se vendimi pasoi bisedimet me partnerët e koalicionit qeverisës, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjatë të cilave “janë dhënë garanci se do të respektohen pikat kryesore të marrëveshjes për koalicionin qeverisës”.

Një nga arsyet kryesore të kthimit të përfaqësuesve të serbëve në parlamentin dhe qeverinë e Kosovës është edhe marrëveshja që në të ardhmen nuk do të ketë hapa të njëanshëm nga ana e partnerëve të koalicionit, posaçërisht kur bëhet fjalë për procesin e privatizimit në zonat e banuara me shumicë serbe. Theks i posaçëm do të vihet në përmirësimin e gjendjes ekonomike në zonat me shumicë serbe”, thuhet në komunikatë.

Përfaqësuesit e listës janë pajtuar me partnerët që “në të ardhmen vëmendje e posaçme do t’i kushtohet kthimit dhe shtimit të pranisë së serbëve në institucione. Për realizimin e këtyre qëllimeve do të ngrihen edhe grupe ndërministrore. Është arritur pajtimi po ashtu që zgjedhja e kuadrove serbe në institucionet e Kosovës të jetë në autoritetin e përfaqësuesve serb”, thuhet në komunikatë.

Përparësitë e punës së Listës Serbe në periudhën e ardhshme do të jetë edhe siç thuhet në komunikatë, “mbrojtja e të drejtave të serbëve, veçanërisht në fushën e respektimit të të drejtave të pronës së personave privatë dhe juridik dhe kishës ortodokse serbe, përmirësimi I gjendjes në arsim dhe shëndetësi, si dhe mbrojtjes së gjuhës, kulturës, trashëgimisë kulturore serbe dhe të drejtës në informim”.

Më tre shkurt, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shkarkoi nga detyra ministrin për kthim dhe komunitete Aleksandër Jablanoviç, i cili nxiti reagime duke i quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, që nuk lejuan një vizitë të pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të atij qyteti më 6 janar.

Vendimi pasoi protestat që shpërthyen në disa qytete të Kosovës, të cilat kulmuan me protestat e 27 janarit në Prishtinë, që lanë pas vetes dhjetëra të lënduar dhe shumë dëme materiale. Duke mos u pajtuar me këtë vendim lista serbe braktisi qeverinë dhe parlamentin, ndërsa akuzoi partitë shqiptarë se nuk po përmbushin marrëveshjen për koalicionin qeveritar në të cilën ishin përfshirë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjet e privatizimit, të pronës së kishës ortodokse etj.

Lista serbe e cila ka nëntë nga dhjetë deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës, u themelua nga Beogradi për të marrë pjesë ne zgjedhjet lokale në vitin 2013 dhe më pastaj edhe në ato parlamentare të vitit të kaluar, pjesëmarrje që u bë e mundur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

XS
SM
MD
LG