Lidhje

Lista serbe pret në parlament për takim me komisionarin e BE-së Johannes Hahn


Deputetët e Listës serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, hynë të dielën në mjediset e parlamentit të Kosovës ku siç thanë, do të presin një takim me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili të hënën pritet të qëndrojë në Kosovë.

Komisionari Hahn do të qëndrojë të hënën fillimisht në Beograd e pastaj do të shkojë në Prishtinë për të diskutuar çështjen e tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe.

Deputeti i Listës serbe në parlamentin e Kosovës, Igor Simiç tha se përfaqësuesit e popullit serb duan të njoftojnë komisionarin Hahn me “gjendjen dhe krizën e mundshme humanitare më të cilën populli serb po përballet nëse tarifat nuk tërhiqen”.

Më 21 nëntor, qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, në shenjë kundërvënieje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Tarifat nxitën reagimin e zemëruar të Beogradit i cili tha se do të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e kësaj tarife. Ndërsa, përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore të Kosovës u hodhën në protesta dhe shkëputën çdo komunikim me Prishtinën. Kryetarët e atyre komunave dhanë dorëheqje.

Thirrje për heqjen e tarifave kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara përmes sekretarit të shtetit Mike Pompeo, i cili kërkoi nga Kosova të punojë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.

Bashkimi Evropian, para se të vendoste ta dërgonte komisionarin Hahn në rajon, tha se tarifat “vetëm sa e ndërlikojnë më tej situatën dhe nuk ndihmojnë ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Edhe qeveria gjermane ka bërë thirrje për heqjen e tarifave dhe që Kosova e Serbia të shmangin përshkallëzimin e tensioneve midis tyre dhe t'u rikthehen bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se tarifat nuk janë të drejtuara kundër serbëve të Kosovës dhe se duhet të mbeten në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Madje ai tha se tarifat do të jene pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, nëntë vjet pasi që forcat e NATO-s ndërhynë për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për integrimet e të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG