Lidhje

Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare - priten rezultatet përfundimtare


Me mbi 90 për qind të votave të numëruara, koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kryeson me 34.6 për qind, lëvizja Vetëvendosje 26.7 për qind dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës ka 25.8 për qind.

Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, të tretat me radhë që kur vendi shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, është e qartë se as fituesi nuk e ka mundësinë që të formojë qeverinë pa një koalicion me subjektet tjera politike.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 41.45 për qind, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014 përqindja e votuesve ishte 42.08 për qind.

Mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë me të drejtë vote ishin regjistruar për të votuar për 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare, ndërsa 971 kandidatë konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh.

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha se Kosova e ka kaluar sprovën me zgjedhjet e 11 qershorit dhe votuesit i kanë dhënë besimin këtij koalicioni. Në mesnatë ky koalicion kremtoi në qendër të Prishtinës.

Në festë u hodh edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se është subjekti i parë politik, ndërsa Lidhja Demokratike kërkoi që të priten rezultatet zyrtare. Rezultati i lëvizjes Vetëvendosje është befasia e këtyre zgjedhjeve. Në zgjedhjet e vitit 2014 ajo kishte fituar 13.5 për qind të votave.

Vlerësimet e para të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizatave që ishin përfshirë në vëzhgimin e zgjedhjeve flasin për parregullsi të ndryshme, të cilat megjithatë nuk ndikojnë në proces.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, e cilësoi të dielën një hap të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ai përgëzoi qytetarët në një postim në rrjetin social twitter, duke nënvizuar se "pavarësisht rezultateve përfundimtare, sfidat Pa marrë parasysh numrin përfundimtar të votave, sfidat dhe mundësitë mbeten. Qëllimi i përbashkët dhe jo politika duhet të jetë qëllimi për Kosovën", theksoi ai.

Partitë politike premtuan gjatë fushatës rritje ekonomike e rritje pagash si dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e sotme do të përballen me probleme të trashëguara siç janë çështja e kufirit me Malin e Zi, që çoi edhe në rrëzimin e qeverisë, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës si dhe përballjen me fillimin e funksionimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Evropës Juglindore që ka mbetur jashtë regjimit të udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shëngen dhe e fundit në proceset integruese.

Një pjesëmarrje më e lartë se kurdoherë është regjistruar në komunat me shumicë serbe në të cilat konkurruan pesë subjekte politike nga radhët e këtij komuniteti.

Rreth 200 vëzhgues të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, qëndruan në pjesën veriore të Kosovës për të ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kaloi i qetë me gjithë shqetësimet që pasuan disa incidente gjatë fushatës zgjedhore.

Lista Serbe, e themeluar në vitin 2013 me mbështetjen e qeverisë së Serbisë, është fituese e zgjedhjeve në mesin e subjekteve nga radhët e komunitetit serb.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG