Lidhje

Gjykata e Posaçme votohet më 29 maj


Të premten e ardhshme parlamenti i Kosovës do të debatojë ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë

Parlamenti i Kosovës pritet të hedhë më 29 maj në debat për miratim ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për themelimin e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Vendimi u mor të premten nga kryesia e parlamentit, me gjithë kundërshtimet e opozitës e cila e sheh gjykatën si të dëmshme për drejtësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Javën e kaluar komisioni parlamentar i ligjeve vendosi me shumicë votash të dërgojë në Parlament çështjen e ngritjes së Gjykatës së posaçme. Ndonëse, ka ditë që rruga për debat është e hapur, partitë e koalicionit druajnë së mund të mos kenë votat e mjaftueshme, meqë themelimi i gjykatës kundërshtohet edhe nga një pjese e deputetëve të këtyre partive.

Gjykata e Posaçme votohet më 29 maj
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për Gjykatën kërkon dy të tretat e votave të deputetëve si dhe mbështetjen e dy të tretave të votave të komuniteteve pakicë.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj.

Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Ish shefi i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për këtë çështje prokurori amerikan Clint Williamson, në fund të muajit korrik të vitit 2014, tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 -1999.

XS
SM
MD
LG