Lidhje

Kryeprokurori i Gjykatës së Posaçme për Kosovën - largohet nga detyra


Kryeprokurori i Gjykatës së Posaçme për Kosovën, David Schwendiman, i jep fund detyrës së tij më 31 mars të këtij viti, për shkak të siç thuhet, "skadimit të emërimit të tij si oficer i Lartë për Shërbim të Jashtëm në Departamentin Amerikan të shtetit.

Në një shpjegim të dërguar nga zyra e tij, ai citohet të ketë thënë se, "kjo duhet të ndodhë sepse administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim si pensionist i riangazhuar në shërbim, diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga ajo se shumë mund të dëshiroj të qëndroj".

Në deklaratën e tij thuhet se "nuk po e jep dorëheqje as nuk po shkarkohet" dhe që largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politikat ose zotimin ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e Shteteve të Bashkuara, nga ana e Bashkimit Evropian ose nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi.

“Përkundrazi, shpejtësia me të cilën Bashkimi Evropian ka reaguar për ta filluar kërkimin për Prokurorin e ri tregon fuqinë e përkrahjes – njësoj si përgjigja e gjithanshme vetëm disa javë më parë ndaj përpjekjes për ta shfuqizuar ligjin mbi Gjykatën e Posaçme, tregoi vendosmërinë ndërkombëtare dhe mbështetjen për ne,” tha ai.

Zoti David Schwendiman, është emëruar në postin e kryeprokurorit të Gjykatës së Posaçme në shtator të vitit 2016. Në dhjetor të vitit 2014, ai ishte emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015 , parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Më 22 dhjetor 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të këtij muaji, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe "nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni".

Edhe zoti Schwendiman, në deklaratën e tij rreth largimit nga posti thekson se parimi kryesor i punës "gjithmonë ka qenë përgjegjësia individuale – duke mbajtur njerëz përgjegjës për veprat e veta, për çfarë kanë bërë si individë, Puna jonë asnjëherë nuk ka qenë për ndryshimin e historisë ose për të veçuar grupe të caktuara për dënim".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG