Lidhje

Prokuroria e Posaçme do të intervistojë një zyrtar të lartë të UÇK-së


Një nga komandantët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, ka marrë një ftesë për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorisë së Posaçme për krime luftë me seli në Hagë.

Lajmi u bë i ditur nga avokati i tij, Arianit Koci, i cili në një postim në rrjetin social Facebook, tha se ftesa është datën 14 janar të vitit 2019 dhe zoti Mustafa “do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën Zyra e Prokurorit është duke e hetuar”.

Në zyrën e prokurorit të posaçëm nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj ftese.

Zoti Mustafa, është ish deputet i Parlamentit të Kosovës dhe zyrtar i lartë i Partisë Demokratike.

Ftesa është dërguar diç më shumë se një muaj që kur kryeprokurori në Dhomat e Specializuara, siç quhet Gjykata e Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, Jack Smith, vizitoi Kosovën për të takuar udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe "nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG