Lidhje

Kosovë: Vazhdon greva në arsim


Punonjësit e arsimit publik në Kosovë vazhduan grevën e filluar javën që lamë pas duke refuzuar një ofertë të qeverisë për ngritje pagash.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi të hënën sërish ndërprerjen e grevës duke cituar ofertën e tij për rreth 20 milionë euro në vit më shumë për pagat në këtë fushë.

Por, punonjësit e shkollave fillore, të mesme dhe të universiteteve publike të Kosovës nuk e kanë pranuar këtë ofertë dhe po vazhdojnë grevën për t'i bërë trysni qeverisë që të ndryshojë ligjin për pagat, duke rritur normën e pagesës për këtë sektor për 30 për qind.

Kryeministri Haradinaj, shkroi të hënën se oferta është dinjitoze dhe pret qasje serioze të grevistëve.

“Është vendim që sfidon seriozisht kapacitet buxhetore, por duke marrë parasysh rëndësinë që ka arsimi për të gjithë, mori përkrahje të gjerë. Është e padrejtë dhe jo etike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve tanë për shkollim e aq më pak të ankohet ndonjë punëtor arsimi për pagë të ultë”, shkroi të hënën ai.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, u bëri thirrje të hënën institucioneve që të shtojnë angazhimin për të përmbushur kërkesat e tyre.

"Po ashtu i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe Konventat ndërkombëtare", thuhet në komunikatë.

Ekspertë të fushës së arsimit në Kosovë thonë se punonjësit e arsimit kanë të drejtë të jenë të pakënaqur, por greva nuk është mënyra e duhur për t’i shprehur pakënaqësitë. Ata bëjnë thirrje që greva të ndërpritet meqë mund të dëmtojë nxënësit, ndërsa kërkojnë rishikimin e ligjit për pagat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG