Lidhje

Kosova dhe luftërat në Lindjen e Mesme


Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë thotë se rreth 230 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri që të luftojnë përkrah grupeve radikale

Një raport prej mbi 100 faqesh i Qendrës për Studime të Sigurisë, synon të shpjegojë shkaqet dhe pasojat e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Siri e Irak.

Kosova dhe luftërat në Lindjen e Mesme
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:11 0:00

Sipas raportit, në mesin e 22 shteteve perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Turqinë, prej ku shumica e luftëtarëve të huaj dyshohen se u janë bashkuar organizatave militante në Siri dhe Irak, Kosova renditet në vendin e tetë, me 232 raste të konfirmuara deri në mesin e muajit janar të vitit 2015.

Në raport thuhet se aktualisht, rreth 30 për qind e rasteve të përgjithshme të konfirmuara të luftëtarëve të huaj nga Kosova konsiderohet të jenë ende me grupet kryngritëse në Siri.

Shumica ose 54 për qind e luftëtarëve të huaj nga Kosova kanë shkuar në Siri gjatë vitit 2013, periudhë kjo kur ISIS ishte konsoliduar dhe rekrutimi i tij ishte intensifikuar

Raporti veçon “tekfirin” si ideologji ekstremiste që përqafon Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë, si rrugën nëpërmjet së cilës nxitet përfshirja e qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme.

Në raport thuhet se ndërsa ndikimet fetare dhe praktika të tjera që janë më konservatore filluan të futen më masivisht në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të vitit 1999, ideologjia dhe mësimet “tekfire” kanë hyrë në Kosovë më vonë, por më intensivisht nga fillimi i vitit 2005.

Kjo ideologji ka gjetur vendin e vet në Kosovë përmes një numri të imamëve të Shkupit që kanë vizituar dhe studiuar në Lindjen e Mesme, ku kanë rënë pre e qarqeve tekfire kryesisht në bazën e saj ideologjike – në Egjipt. Ishte diku nga fillimi i viteve 2000, kur shumica e imamëve shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia, dhe Kosova, të cilët së bashku kanë studiuar në Lindjen e Mesme, filluan përçarjet e tyre ideologjike. Pra, kur këta imamë nisën të mos pajtoheshin mes vete në disa çështje themelore dhe esenciale”, thuhet në raport.

Duke provuar të shpjegojë karakteristikat perosnale të personave të rekrutuar, raporti thekson se “shumica e atyre që përqafojnë ideologjinë tekfiriste janë kryesisht të rinj; të cekët dhe mendjelehtë; injorantë; pa përvojë; dhe pasi nuk marrin referenca fetare nga studiues të besueshëm fetarë, zakonisht tërhiqen nga një grup i tretë që ndjek rrugë të shtrembëruara për kryengritje dhe nxiten nga hipokrizia. Një numër i mirë i qytetarëve të Kosovës të cilët kanë qenë të përfshirë në Siri, ose 46 për qind të tyre, janë të lindur mes viteve 1985-1999. Kjo do të thotë se ata e kanë përqafuar ideologjinë tekfiriste edhe në një moshë më të re”.

Raporti thekson se instrumentet që përdoren për të rekrutuar luftëtarët janë ligjëratat nga imamë të caktuar nëpër xhami, puna me të rinjë në konvikte nxënësish e studentësh, interneti etj.

Raporti vë në spikamë edhe strukturat e dobëta shtetërore që nga përfundimi i luftës në Kosovë, politikat e paqëndrueshme edhe të mekanizmave ndërkombëtarë, korrupsionin, shkatërrimin e përgjithshëm të vlerave shoqërore, krizat identitare, ekonominë e dërmuar dhe varfërinë, sistemin e dobët arsimor, izolimin e qytetarëve të Kosovës etj., si disa nga faktorët lehtësues për rekrutimin e luftëtarëve nga Kosova.

Raporti përfshinë edhe propozimet për zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për rehabilitimin dhe integrimin e luftëtarëve të huaj, të cilët, sipas raportit hyjnë në tri kategori: ata që janë penduar pse kanë shkuar në Siri dhe kanë përqafuar “tekfirizmin”; ata që janë penduar pse kanë shkuar në Siri por jo pse kanë përqafuar “tekfirizmin” dhe ata që nuk janë penduar as për njërën as për tjetrën.

Raporti i bën thirrje edhe Bashkësisë Islame të Kosovës që të punojë për të parandaluar radikalizimin e qytetarëve të Kosovës, por tërheq vërejtjen se duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve laike, shtetërore dhe institucioneve fetare si dhe nga imamët e ligjshëm dhe të besueshëm për të luftuar shkaqet e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat në Lindjen e Mesme.

Muajin e kaluar, Parlamenti i Kosovës me 60 vota për dhe 17 kundër miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Ligji pasoi shqetësimet në rritje për përfshirjen e shqiptarëve të Kosovës në luftën e Sirisë. Autoritetet në Kosovë besojnë që rreth 300 qytetarë nga Kosova mund të kenë shkuar në Siri për të luftuar. Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në Lindjen e Mesme.

Rreth 150 veta janë arrestuar deri tash në kuadër të hetimeve për përfshirje në veprimtari që kanë të bëjnë me zhvillimet në Lindjen e Mesme, përkatësisht luftëtarë, nxitës dhe rekrutues të ushtarëve për në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG