Lidhje

Udhëheqësit në Kosovë pa pajtim rreth tarifave


Kosovo

Kërkesat e vendosura amerikane për heqjen tarifave ndaj mallrave serbe dhe refuzimi i qeverisë për të bërë një gjë të tillë, kanë lëkundur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe kanë ashpërsuar gjuhën e komunikimit ndërmjet udhëheqësve të Kosovës.

Udhëheqësit në Kosovë pa pajtim rreth tarifave
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Kryeministri Ramush Haradinaj, ngulë këmbë që tarifat të mbeten deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar disa herë ditëve të fundit se askush nuk duhet të cenojë miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe ka tërhequr vërejtjen se mospezullimi i tarifave do të ketë pasoja të rënda për vendin.

Kryeministri Haradinaj tha të enjten se askush nuk ka të drejtë të flasë për qëndrimin amerikan.

Amerika flet vet, as presidenti as unë ose dikush tjetër nuk është zëdhënës i Amerikës, nuk kanë nevojë të flasin për ta. Ata flasin vet, dinë të flasin, i shpjegojnë gjërat, mendoj se e kemi të qartë”, tha kryeministri Haradinaj.

​Qëndrimi i tij për tarifat nuk ndryshoi as pas letrës së tre përfaqësuesve amerikanë të departamentit të shtetit, atij të Mbrojtjes dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare që paralajmëruan masa ndaj Kosovës dhe e cilësuan të "pabesueshme" që Kosova injoron këshillat amerikane.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.

Megjithatë, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe delegacioni i saj për bisedime me Serbinë thanë të enjten se kanë rënë dakord për një platformë për bisedimet e ardhshme.

Platforma që pritet t’i dorëzohet parlamentit të premten, synon që të caktojë vijat e kuqe të Kosovës në bisedime dhe zgjidhjen e të gjitha temave të hapura me Serbinë për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Njëri nga drejtuesit e delegacionit për bisedime, Fatmir Limaj tha se me këtë Kosova po e ndërton pozicionin e saj zyrtar për bisedimet.

Shpresoj që edhe parlamenti me sugjerimet dhe debatin do të kontribuoj në këtë platformë dhe edhe parlamenti të jap dritën e gjelbër dhe pastaj të mund të themi që përfundimisht ne kemi një pozicion zyrtar të të gjitha institucioneve të Kosovës në raport me dialogun për njohje me Serbinë. Nuk besoj që do të ketë forcë politike në parlament që nuk do ta mbështes këtë platformë për faktin se vet hartimi i platformës është në tërësi në përputhshmëri me kërkesat dhe interesat e Kosovës që do t’i përfaqësojmë ne në dialogun e mundshëm për njohje nga Serbia”, tha zoti Limaj.

Kryeministri Haradinaj tha se platforma ofron një garanci të mirë për vendin.

Kemi një dakordim për platformën e Kosovës në dialog, tani procedurat tjera janë një konfirmim nga vet delegacioni shtetëror në mënyrë që të mund t’i kaloj parlamentit. Mendoj që platforma është një dokument i qëndrueshëm i parimeve por edhe i qëllimeve që ka Kosova në dialog, buron nga kushtetuta dhe i obligohet kushtetutës dhe personalisht i jap përkrahjen”, tha ai.

Por, as platforma dhe ekipi për bisedime nuk kanë siguruar konsensus politik në vend meqë opozita nuk është bërë pjesë e tyre, ndërsa ndarjet tashmë janë thelluar edhe brenda koalicionit qeverisës rreth tarifave.

Tash për tash nuk është e qartë se cila do të jetë rrugëdalja nga situata e krijuar që shënon edhe rastin e parë kur Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë dhe kanë paralajmëruar veprime dënuese për Kosovën.

Stoltenberg: Tarifat vështirësojnë bisedimet Kosovë - Serbi

Të enjten sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u shpreh i kënaqur që Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëndrimin kundër tarifave të Kosovës, një vendim që kundërshtohet edhe nga një pjesë e aleatëve të NATO-s.

"Mendoj që vendosja e tarifave të larta ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja nuk është e dobishme dhe i bënë bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit edhe më të vështira dhe e çon procesin në drejtimin e gabuar. Kjo është diçka që unë dhe shumë aleatë të NATO-s e mendojmë. Tani e kemi parë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë shumë të qarta kundër vendosjes së kësaj tarife. Kjo është edhe një arsye pse tani do të marrim vendim për nivelin e angazhimit me Kosovën”, tha ai në përfundim të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s në të cilat është diskutuar edhe shkalla e angazhimit të Aleancës me Forcën e Sigurisë së Kosovës.​", tha ai në përfundim të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s në të cilat është diskutuar edhe shkalla e angazhimit të Aleancës me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Sekretari Stoltenberg tha se vendimi për këtë do të merret në pranverë, ndërsa ritheksoi qëndrimin e një pjese të vendeve anëtare se shndërrimi i Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës ishte vendim në kohë të gabuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG