Lidhje

Kosovë: 13 deputetë të opozitës në polici ose në arrest shtëpie


Në orët e vona të së hënës, pesë deputetë të lëvizjes Vetëvendosje janë shoqëruar në polici për shkak të veprimeve në parlamentin e Kosovës, i cili gjatë tërë ditës së hënë u përshkua me skena të hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët e opozitës që kundërshtojnë marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

Glauk Konjufca, Besa Baftiu, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili dhe Faton Topalli, u shoqëruan në polici me të dalë nga ndërtesa e parlamentit. Tre të partë meqë të hënën hodhën gaz lotsjellës, ndërsa dy të fundit meqë kishin shkelur masën e shqiptuar ditë më parë ndaj tyre me arrest shtëpie.

Më herët gjatë të hënës policia shoqëroi tre deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, Time Kadriaj dhe Teuta Haxhiu, gjithashtu nën dyshimet për hedhje të gazit lotsjellës.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Ismail Kurteshi nga lëvizja Vetëvendosje ndodhen në paraburgim, Haxhi Shala nga Nisma për Kosovën dhe Donika Kadaj Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndodhen në arrest shtëpie.

Gazi lotsjellës nuk i është ndarë parlamentit të Kosovës gjatë tërë ditës së hënë. Fillimisht opozita hodhi gaz lotsjellës në sallën kryesore të seancave të parlamenti. Më pas, gaz u hodh edhe në mbledhjen e kryesisë së parlamentit të Kosovës dhe pas kësaj partitë e koalicionit qeverisës u mblodhën në sallë alternative.

Grupe veprimtarësh të partive opozitare hodhën gurë dhe ngjyrë mbi ndërtesën e parlamentit dhe mbi policinë e cila arrestoi tre veta gjatë shpërndarjes së protestuesve.

Në hijen e zhvillimeve brenda dhe jashtë parlamentit, partitë shumicë miratuan me 78 vota buxhetin prej rreth 1.7 miliardë eurosh, si dhe një numër ligjesh të tjera.

Por, edhe seanca ne sallën alternative u ndërpre për rreth dy orë nga gazi lotsjellës që u hodh nga disa deputetë të opozitës që u lejuan të hyjnë në seancë.

Opozita thotë se nuk do të heq dorë nga kundërshtimi i marrëveshjes së arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas tyre, cenojnë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.

Partitë opozitare akuzojnë qeverinë për vendosje të pushtetit policor, meqë tetë deputetë të opozitës janë në paraburgim, nën masa të arrestit ose në procedurë gjyqësore për shkak të veprimeve në parlament.

Qeveria ka bërë thirrje për hapje të dialogut politik, por opozita kërkon anulimin e marrëveshjeve, referendum për to dhe nëse këto nuk funksionojnë atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, u shpreh i zhgënjyer me zhvillimet e së hënës në parlament. Ai përmendi me këtë rast vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në Kosovë dhe thirrjet e tij për të shmangur veprimet e dhunshme në parlament.

“Është zhgënjyese që njerëzit nuk i kanë dëgjuar thirrjet e tij”, tha ambasadori amerikan, i cili u shpreh i shqetësuar edhe me praninë në parlament të dy deputetëve të opozitës ndaj të cilëve është në fuqi masa e arrestit shtëpiak. Ligjet vlejnë për secilin qytetar të Kosovës tha ambasadori amerikan.

Marrëveshjet me Serbinë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që aspirojnë integrimet evropiane. Ato i siguruan Kosovën marrëveshjen e stabilizim asociimit, ndërsa Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që u hapën të hënën në mbrëmje në Bruksel.

XS
SM
MD
LG