Lidhje

Kosovë: Akuzë për përgatitje të veprës terroriste


Prokuroria e Kosovës, ngriti akuzë për përgatitje të veprës terroriste kundër një shtetasi serb, i arrestuar para më shumë se gjysmë viti me 12 kilogram mjete shpërthyese në makinën e tij

Prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë kundër një shtetasi serb nën dyshimet për veprën penale të përgatitjes së terrorizmit.

Sipas aktakuzës “i pandehuri me qëllim që seriozisht ta frikësojë popullatën dhe të destabilizojë e të shkatërrojë strukturat më të rëndësishme politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Republikës së Kosovës, ka përgatitur kryerjen e veprës penale të terrorizmit”.

Më tej në njoftimin e prokurorisë thuhet se “i pandehuri gjatë muajit dhjetor të vitit 2014, në Beograd është furnizuar më njëzet e pesë pajisje eksplozive, me peshë totale mbi 12 kilogram që përmbajnë eksploziv të fuqishëm “Pentaerythritol Tetranitrate“ (PETN), i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale, të cilat pastaj me veturën e tij, më 25 dhjetor 2014, i ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë, ku në lagjen Arbëria është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pas kontrollit të kryer, në bagazhin e veturës së tij është gjetur eksplozivi”.

Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale: “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”,

Ekspertiza e mjeteve shpërthyese është kryer nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe autoritetet e Kosovës.

Mjetet lokale të informimit thanë se i pandehuri i arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar është Slobodan Gavriç, veterinar me profesion nga qyteti i Rashkës, në Serbinë jugperëndimore.

XS
SM
MD
LG