Lidhje

Thaçi zemëron Beogradin


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi zemëroi Beogradin me paralajmërimet për padi ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë. Deklaratat nxisin reagime edhe në Prishtinë

Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, zemëroi Beogradin me një paralajmërim për mundësinë e ngritjes së një padie ndaj Serbisë për të paguar dëmet e luftës së viteve 1998- 1999.

Në një intervistë dhënë agjencisë turke të lajmeve “Anadollu”, ministri Thaçi ka deklaruar se Kosova po shqyrton mundësinë për ta dërguar një padi të tillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pas vlerësimit të “rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare”.

Ndonëse nuk ka dhënë një datë të mundshme për këtë çështje, ministri Thaçi, që mban edhe postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës ka thënë që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se për këtë ekzistojnë prova dhe dëshmitarë dhe se këtë e di gjithë bota.

Serbia e cila ditë më parë doli nga një proces i gjatë me Kroacinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku ishin bërë akuza të ndërsjella për gjenocid, u shpreh e zemëruar me paralajmërimet e ministrit Thaci.

Zyrtarë serbë thanë se nuk mund të shkojnë së bashku edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe padia e mundshme për gjenocid.

Madje ata thanë se kjo është përpjekje për të “fshehur krimet e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kosova doli nga lufta Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë 659 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Në Kosovë, një pjesë e përfaqësuesve politik në opozitë thonë se deklaratat e ministrit Thaçi janë përpjekje për të zbutur shqetësimet për ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte që pritet të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime gjatë periudhës ndërmjet viteve 1998 – 2000.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme për krimet e luftës. Ndërsa tani vendi duhet të përgatisë infrastrukturën ligjore për themelimin e saj. Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje.

Ndryshimet parashohin mundësinë që gjykata e posaçme të ketë fuqi ligjore dhe juridike dhe përgjegjësinë siç thuhet “për të hyrë në marrëveshje detyruese të cilat janë të nevojshme për veprimin, funksionimin, integritetin, pavarësinë dhe sigurinë e shqyrtimeve, duke i përfshirë edhe rregullimet lidhur me bashkëpunimin, ndihmën, mbrojtjen e dëshmitarëve, sigurinë, paraburgimin dhe vuajtjen e dënimit jashtë territorit të Kosovës për këdo që dënohet”.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Në dhjetor të vitit të kaluar amerikani David Schwendiman është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e këtyre pretendimeve, duke pason në këtë post prokurorin amerikan Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit të kaluar nga kjo detyrë.

Në fund të muajit korrik të vitit 2014, prokurori Williamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ngritja e gjykatës së posaçme nuk është parë me sy të mirë as nga qeveria e Kosovës, ndërsa diplomatët ndërkombëtarë po bëjnë thirrje për përshpejtimin e themelimit të saj. në radhë të parë, siç thuhet, për të hequr retë nga emri dhe historia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG