Lidhje

Hashim Thaçit nuk i lejohet udhëtimi në Srebrenicë


Autoritetet e Republikës Serbe në Bosnjë, pengojnë pjesëmarrjen zv/kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në ceremoninë përkujtimore të së shtunës në Srebrenicë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me gjithë paralajmërimet, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të masakrës së Srebrenicës.

Zoti Thaçi, që është edhe ministër i jashtëm i Kosovës shkroi në rrjetin social facebook, se “përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska.

Kosova dhe populli i saj me zemër e me mendje jenë me familjet që më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllezërit, bijtë e humbur në këtë tmerr. Kështu shënojmë 20-vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë. Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin”, shkruan zoti Thaçi.

Kosova ka shënuar me një minutë heshtje në parlament dhe më një parakalim në qytetin e Prizrenit përvjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Deputetët e komunitetit boshnjak kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me faktin se më 11 korrik, nuk mund të udhëtojnë për në Srebrenicë, për shkak të procedurave të ndërlikuara të udhëtimit, meqë Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Më 11 korrik të vitit 1995, trupat e serbëve të Bosnjës, pushtuan Srebrenicën, një qytet që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, duke ekzekutuar rreth tetë mijë mysliman boshnjak.

Të enjten Parlamenti Evropian miratoi me shumicë votash rezolutën për Srebrenicën, me të cilën dënohet gjenocidi i kryer 20 vjet më parë. Në rezolutë thuhet mes tjerash se përgjegjëse për vrasjen masive të mbi tetë mijë burrave myslimanë, janë forcat serbe të Bosnjës, të komanduara nga Ratko Mladiç, i cili aktualisht është duke u gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Në tekstin e rezolutës masakra e Srebrenicës cilësohet si gjenocid, ashtu sikundër është cilësuar në vendimet e dy gjykatave në Hagë, asaj për krime lufte dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ky është krimi më i madh i luftës që ka ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore” shkruan në rezolutë, në të cilën theksohet se rreth 1 mijë e 200 banorë të Srebrenicës ende llogariten të zhdukur, disa mijëra gra e fëmijë janë dëbuar dhe shumë gra janë përdhunuar nga forcat serbe.

Në tekstin e rezolutës së Parlamentit Evropian, shprehet keqardhje që Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili ka përgjegjësinë për mbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, dështoi të miratojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është posaçërisht për keqardhje kur dihet se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, trupi kryesor juridik i Kombeve të Bashkuara, ka përcaktuar se krimet e kryera në Srebrenicë, paraqesin gjenocid, thuhet në rezolutë.

Të mërkurën Rusia i vuri veton një projekt-rezolute të Kombeve të Bashkuara që e dënon si akt gjenocidi masakrën e Srebrenicës.

XS
SM
MD
LG