Lidhje

Aksident afër Prishtinës – tre të vdekur, lëndohet ambasadorja turke


Policia e Kosovës tha se tre veta humbën jetën në një aksident në fshatin Mramor të Prishtinës.

Sipas policisë, tri makina janë përfshirë në aksidentin që ndodhi në rrugën që lidhë Prishtinën me Gjilanin, një komunë në lindje të Kosovës. Një nga makinat ishte me targa diplomatike, në të cilin udhëtonte ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.

Policia tha se dy veta humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa i treti vdiq nga plagët më pas në spital.

Ambasadorja e Turqisë, është dërguar në spitalin e Prishtinës bashkë me dy të lënduar të tjerë. Sipas mjekëve ajo ka pësuar lëndime serioze por është jashtë rrezikut për jetën.

Tash për tash policia po kryen hetime dhe ende nuk janë dhënë hollësi për rrethanat e aksidentit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi në facebook se është “fatkeqësi e madhe humbja e jetës së tre personave në aksidentin rrugor në magjistralen Prishtinë-Gjilan, si dhe lëndimi i disa të tjerëve, përfshirë këtu edhe Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic. Bashkëndjej me familjet që kanë humbur të afërmit e tyre në këtë aksident komunikacioni, kurse ambasadores Kilic dhe të lënduarve të tjerë u uroj shërim sa më të shpejtë”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një postim në rrjetet sociale u shpreh “i trishtuar me lajmin për humbjen e tri jetëve nga aksidenti i trafikut në Magjistralen Prishtinë - Gjilan. Ngjarjet si kjo janë momente dhimbjeje për të gjithë ne. Shpreh keqardhjen për lëndimin e Ambasadores së Turqisë, Kivilcim Kiliç. Ambasadores dhe të lënduarve tjerë u dëshiroj shërim sa më të shpejt”, shkroi ai.

Kryetari i parlamentit Kadri Veseli shprehu keqardhjen me “lajmin për vdekjen e tre personave në një aksident në rrugën Prishtinë - Gjilan. Ngushëllime familjarëve dhe miqve të atyre qe humbën jetën, ndërkaq të lënduarve, në mesin e tyre edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilçim Kiliç, të cilët edhe i vizitova në Qendrën Emergjente, shërim sa më të shpejtë”, shkroi ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG