Lidhje

Kosovë: arrestohen dhe ekstradohen gjashtë shtetas turq të lidhur me klerikun Gulen


Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten pesë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë si dhe një mjek turk në Kosovë.

Në mesin e të arrestuarve janë dy drejtorë të Shkollës "Mehmet Akif" në Prishtinë dhe Gjakovë, një zëvendësdrejtor dhe dy arsimtarë.

Autoritetet nuk thanë se ku ndodhen të arrestuarit, ndërsa mediet turke thanë se ata janë ekstraduar menjëherë në Turqi në një operacion të përbashkët të shërbimeve të zbulimit të të dyja vendeve. Mediet turke publikuan edhe fotografitë e të gjashtë të arrestuarve.

Më herët gjatë ditës ministria e Punëve të Brendshme ë Kosovë, tha nëpërmjet një komunikate se u ka revokuar lejet e qëndrimit shtetasve turq të arrestuar sot.

"Gjatë administrimit të provave kemi konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore", thuhet në komunikatë, por pa dhënë hollësi për arsyet konkrete.

Më tej ministria thekson se “kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës” thuhet në komunikatë duke nënvizuar se "pas revokimit të leje qëndrimit, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm".

Por, Drejtori i Kolegjit ‘Mehmet Akif’ në Lipjan, Nazmi Ulus tha se të gjithë të arrestuarit kishin leje qëndrimi me afat ndërsa shprehet i shqetësuar për fatin e të arrestuarve. Ai u shpreh i shqetësuar për mundësinë e ekstradimit të tyre në Turqi, ndërsa kritikoi institucionet e Kosovës që nuk kanë dhënë më shumë informacion.

Ai tha se dyshon që arsye për ndalimin e punonjësve të shkollës ka të bëjë me trysninë e Turqisë ndaj vendeve të Ballkanit.

“I ashtuquajturi presidenti i Turqisë, Erdogan është duke bërë vazhdimisht kërkesa dhe trysni ndaj të gjitha shteteve ku gjenden shkollat tona. Ne nuk e kuptojmë se si një kryetar i vendit reagon kaq ashpër ndaj shtetasve të vet të cilët kanë dalë jashtë vendit për të kontribuar për arsim dhe kjo po e pengon atë shumë”, tha ai.

Edhe, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë ka shprehur shqetësimin arrestimet që sipas tij mund të jenë bërë nën trysninë e Ankarasë zyrtare.

Në një reagim të Këshillit thuhet se në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit, Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”.

Institucionet Edukative Gulistan, menaxhojnë katër shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë, me rreth 1700 nxënës.

Në dhjetor të vitit të kaluar prokuroria e Kosovës refuzoi kërkesën për ekstradimin e një shtetasi turk që kërkohej nga Turqia nën akuzat për përfshirje në grusht shtetin e korrikut të vitit 2016.

Uğur Toksoy, punonjës i fondacionit arsimor, "Atmosfera" u arrestua në tetor pak pas vizitës në Kosovë të kryeprokurorit të Ankarasë, Yüksel Kocaman, i cili sipas medieve turke, u kishte dorëzuar autoriteteve në Kosovë emrat e 25 shtetasve të Turqisë që kërkohen nga autoritetet turke.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit të kaluar.

Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.

Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke.

Vëzhguesit thonë se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ka shtrirje në mjedisit posaçërisht të banuara me myslimanë, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Një shqetësim të tillë vazhdimisht e kanë shprehur edhe ekspertë ndërkombëtarë të cilët thonë se Turqia përmes investimeve po provon që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG