Diplomatët amerikan dhe britanik në Kosovë, bënë thirrje të premten kundër ndërhyrjeve politike në vendimet e agjencive të pavarura në Kosovë.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë në Kosovë në fillim të kësaj jave u tërhoqi akreditimet për vitin akademik 2019/2020, tri universiteteve publike në vend dhe disa kolegjeve private, në një veprim që nxiti reagime të institucioneve që u prekën nga vendimi por edhe të qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj, e cilësoi të padrejtë vendimin e Këshillit të i Cilësisë, që vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit.
“Nuk e pranoj faktin që dikush i jep vetes të drejtë që maturantët e familjeve të varfra dhe mesatare që nuk i kanë kushtet prindërit e tyre t’i sjellin për të studiuar në Prishtinë sepse rritet e trefishohet kostoja e studimeve, t’i lëmë në rrugë. Nëse dikush ka kujtuar se guxon të bëjë një gjë të tillë ka gabuar në emër të çfarëdo funksioni”, tha kryeministri Haradinaj.
Të premten ambasadori amerikan, Philipp Kosnett, shkroi në rrjetet sociale se vendimi i agjencisë për tërheqjen e akreditimit ishte “i vështirë, por korrekt".
Është roli i saj që të marrë vendime objektive dhe të bazuara në standarde, për t'u siguruar studentëve të Kosovës arsimin cilësor që e meritojnë", shkroi ai, duke kritikuar ndërkaq, nndërhyrjet politike në Agjencinë e Akreditimit.
“Universitetet ekzistojnë për të arsimuar studentët në dobi të tyre dhe të shoqërisë – jo për të siguruar vende pune për individët e pakualifikuar që kanë lidhje. Vendit i duhet një sistem arsimimi të mbështetur mbi merita dhe të drejtë për të gjithë”, shkroi ai.
Ndërsa ambasadori britanik Ruairi O’Conell shkroi se institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike.
“Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t'u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t'i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private”, shkroi mes tjerash ai.
Tërheqja e akreditimeve ringjalli debatet edhe për cilësinë e arsimit të lartë në vend.
Facebook Forum