Lidhje

Kurti: Strehimi i afganëve përveç solidaritetit ka edhe dimensionin e aleancës me SHBA-të


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se strehimi i refugjatëve afganë përveç aspektit njerëzor ka edhe dimensionin e aleancës e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi që qeveria e tij, miratoi kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Vizave të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Kurti: Strehimi i afganëve përveç solidaritetit ka edhe dimensionin e aleancës me SHBA-të
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:40 0:00

Kryeministri Kurti tha se ka një muaj që kur qeveria e Kosovës është në kontakt, komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përgatitur strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve nga Afganistani.

“Ne jemi shtet serioz dhe tash e një muaj këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe me shumë kujdes meqenëse çështja e refugjatëve nga Afganistani është jo vetëm një çështje e dhimbshme e njerëzore por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë”, tha ai, duke nënvizuar se hollësitë e strehimit dhe mbrojtjes së refugjatëve janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

“Ne i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshëm dhe çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu edhe dimensionin e aleancës e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra. SHBA-të na kanë mbështetur e përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë kundruall ndihmës e mbështetjes së tyre të madhe për vendin dhe për popullin tonë”, tha kryeministri Kurti.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett falënderoi në një postim në rrjetet sociale qeverinë dhe popullin e Kosovës “për gatishmërinë tuaj për t'u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, shkroi ai.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një numër afganësh që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.

Autoritetet në Prishtinë thanë se janë duke punuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës që ndodhen në Afganistan të kthehen në shtëpi.

Ministria e Punëve të Jashtme tha se “deri në pasditen e së martës, dy shtetas të Kosovës janë evakuuar nga Afganistani përderisa me dy të tjerë po vazhdon kontakti i drejtpërdrejt në mënyrë që tu ofrohet ndihmë deri në largimin e tyre”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se dy shtetasit janë evakuuar “në një vend të sigurt” dhe “së shpejti do të kthehen në shtëpi”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG