Lidhje

Kosovë, “Urdhri i Lirisë” për senatorin John McCain


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi sot me medaljen “Urdhri i Lirisë”, senatorin amerikan John McCain, për siç thuhet kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe thellimin e partneritetit dhe miqësisë në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Thaçi tha se senatori McCain mëshiron vlerat e lirisë për të gjithë botën.

“Në ditët tona më të vështira si komb ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë, kur ne nuk kishim zë. Ju me punën dhe angazhimin tuaj për çlirimin e Kosovës dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit por e drejtë fondamentale për secilin njeri, për secilin komb”, tha presidenti Thaçi.

Senatori John McCain përsëriti qëndrimin se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën drejt forcimit të saj.

“Mendoj se populli i Kosovës mund të jetë shumë krenar, ata vijnë nga një rrugë e gjatë me sakrifica të mëdha dhe kam ndërmend të bëj gjithçka që mundem për të vazhduar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tjera, por posaçërisht të Shteteve të Bashkuara për të siguruar që Kosova të mbetet e lirë, demokratike dhe aq bukur sa është sot”, tha senatori McCain.

Senatori amerikan John McCain përfundoi vizitën dyditëshe në Kosovë, gjatë së cilës zhvilloi takime të shumta me udhëheqës të institucioneve vendase dhe forcat amerikane që janë pjesë e misionit të NATO-s në Kosovë.

Senatori McCain siguroi Kosovën se anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara nga të dyja partitë politike janë plotësisht të angazhuara që të punojnë për të mbështetur paqen dhe begatinë në Kosovë dhe në tërë rajonin.

Senatori McCain i cili pritet të qëndrojë edhe në Tiranë, që nga shtatë prilli ndodhet në një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë, duka anashkaluar Maqedoninë.

Gjatë vizitës në rajon ai vuri theksin tek përpjekjet e Rusisë për të shtuar ndikimin e saj dhe rrugëve që duhet ndjekur për t'ju kundërvënë këtyre përpjekjeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG