Lidhje

Senatori Bob Corker në Kosovë


Shefi i politikës së jashtme në Senatin amerikan, Bob Corker, that të martën në Prishtinë se dallimet politike duhet të zgjidhen me debat dhe jo dhunë

Kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, Bob Corker, bëri thirrje që çdo dallim politik ndërmjet partive në Kosovë të zgjidhet përmes debatit dhe jo dhunës. Ai i bëri këto komente gjatë ceremonisë së shënimit të tetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e organizuar nga institucionet e vendit. Zoti Corker tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të vazhdojnë të mbesin me Kosovën.

“E di se disa qytetarë të Kosovës do të protestojnë nesër për të shprehur vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës, ata kanë çdo të drejtë që të protestojnë në mënyrë paqësore. Megjithatë, dallimet politike duhet të zgjidhen përmes debatit dhe jo dhunës. Dita e pavarësisë duhet të jetë ditë e gëzimit dhe asgjë më shumë. Shteti im ka qenë me ju që nga fillimi dhe ne ende jemi me ju sot. Unë gjindem këtu me shumë përfaqësues të kongresit dhe se prania jonë këtu paraqet lidhjen e fortë që kemi ndërmjet dy vendeve tona”, tha zoti Corker.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha se pavarësia nuk është e asnjë udhëheqësi politik, por u takon qytetarëve të saj, të cilët sipas saj, sot janë më të bashkuar se kurrë për t'i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike.

“Këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes. Në kontekst të tillë, mospajtimet janë të kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të miratuar, por të pa testuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tone” tha presidentja Jahjaga.

Nesër, Kosova shënon tetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, në një kohë kur po përballet me krizën më të madhe politike që nga shpallja e saj.

Për këtë ditë, partitë opozitare kanë paralajmëruar mbajtjen e protestës, me të cilën kërkon shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë në dritën e vlerësimeve të gjykatës kushtetuese mbi marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë Greg Delawie tha nëpërmjet rrjetit social Twitter se mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë përfshirë edhe të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore. “Kjo e drejtë nuk përfshin përdorimin e dhunës. Dhuna politike nuk përputhet me demokraci, nuk përputhet me të ardhmen euroatlantike të Kosovës, dhe nuk përputhet Pavarësinë. Ata që zgjedhin dhunën janë duke e çuar Kosovën në rrugën e izolimit. Kosova ka arritur shumë larg për të shkuar mbrapa”, thuhet në postimin e ambasadorit Delawie.

Në muajin dhjetor Gjykata Kushtetuese tha se pjesë të marrëveshjes nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do ta zbatojë në tërësi vendimin e Gjykatës në fazat që ndërlidhen me hartimin e dokumenteve mbi asociacionin.

Situata aktuale mund të sfidojë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, që sipas kushtetutës duhet të ndodhë deri më shtatë mars, meqë presidenti zgjidhet një muaj para përfundimit të mandatit të presidenti aktual.

XS
SM
MD
LG