Lidhje

Jacobson: Gjykatën e posaçme e bën Kosova ose OKB-ja


Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, tha që vendi i saj e ka bllokuar deri tash nismën e Rusisë për një Gjykatë të posaçme për Kosovën në kuadër të KS të OKB-së

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jackobson, tha të enjten se dështimi i mundshëm i parlamentit të Kosovës që të votojë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, do ta çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në një intervistë për KTV-në, ajo tha se Shtetet e Bashkuara në një rast të tillë do të jenë të pafuqishme për të bllokuar nismën e kahershme të Rusisë për këtë çështje, e që sipas saj, do të jetë edhe politikisht më e rrezikshme për Kosovën.

Zgjidhja mbetet që a dëshiron Kosova të marrë pjesë me BE-në si partnere në një gjykatë që do të punonte me ligjet e Kosovës, apo çështja të shkojë në Kombet e Bashkuara. E kjo e fundi do të ishte me të vërtetë më politike dhe më dëmtuese për Kosovën. Më lejoni të jem e qartë, ne i kemi bllokuar përpjekjet e Rusisë deri tash për krijimin e një Gjykate në kuadër të Këshillit të Sigurimit, por nëse dështojnë këto përpjekje dhe Parlamenti nuk e voton Gjykatën e Posaçme, vendi im më nuk do ta bllokojë atë”, tha ambasadorja Jacobson.

Komentet e saj pasuan vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, se ndryshimet kushtetuese për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte, nuk janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

Më 9 mars kryesia e parlamentit të Kosovës kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese propozimet për amendamentet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Kjo ishte bërë me qëllim që siç thuhej të sigurohen se të njëjtat janë në përputhje me frymën kushtetuese të vendit.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se kësaj gjykate të cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por edhe sovranitetit të saj. Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Qeveria krahas propozimeve për ndryshime kushtetuese miratoi në fillim të marsit edhe projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të akuzohen në proceset gjyqësore të kësaj gjykate.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Ish shefi i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për këtë çështje prokurori amerikan Clint Williamson, në fund të muajit korrik të vitit 2014, tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

XS
SM
MD
LG