Lidhje

Vetëvendosje ankohet nga dhuna - mohon të ketë shkaktuar dhunë


Lëvizja Vetëvendosje bëri bilancet e veprimtarëve të lënduar të saj gjatë protestës së të enjtes – mohon të ketë lënduar ambasadoren amerikane

Lëvizja Vetëvendosje tha të dielën se gjatë protestës së të enjtes kundër ratifikimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, forcat e rendit kanë përdorur dhunë të paarsyeshme ndaj veprimtarëve të saj.

Në një komunikatë për opinion kjo lëvizje thekson se “gjatë protestës së mbajtur të enjten, 27 qershor në Prishtinë, në hapësirat rreth ndërtesës së Kuvendit dhe ndërtesës së Qeverisë, nga sulmet e forcave të Policisë së Kosovës, sigurimit të afërt të zyrtarëve dhe qeveritarëve, nga përdorimi i tepruar i dhunës së Njësive Speciale, janë lënduar dhjetëra aktivistë dhe pjesëmarrës në këtë protestë”.

Lëvizja akuzon policinë për përdorim jashtë çdo rregulli të gazit lotsjellës, dhune gjatë arrestimit të protestuesve në momentet kur kanë qenë të shtrirë apo të lidhur, ndrysa për njërin nga veprimtarët e saj thotë se është i shtrirë në spital për shkak të goditjeve në gjoks që i kanë shkaktuar “atak në zemër”.

Lëvizja mohon të ketë shkaktuar dhunë gjatë protestës sikundër që mohon njoftimet se protestuesit kanë lënduar ambasadoren amerikane në Prishtinë Tracey Ann Jacobson gjatë hyrjes së saj në ndërtesën e parlamentit të Kosovës.

Ambasadorja Jacobson publikoi në rrjetin social “Twitter”, një foto të saj ku shihet dora e mavijosur. Nëpërmjet një komunikate për opinion të enjten ambasada kishte reaguar duke vlerësuar se “duke u mbështetur vazhdimisht në taktika të dhunshme, Vetëvendosja dëmton reputacionin e Kosovës si një demokraci në zhvillim”.

Pas kësaj udhëheqësit më të lartë të Kosovës si dhe partitë politike kishin reaguar duke i bërë thirrje lëvizjes Vetëvendosje që të kërkojë falje për një veprim të tillë të protestuesve.

Por, zyrtarët e Vetëvendosjes mohojnë çdo mundësi që ambasadorja amerikane të ketë pësuar çfarëdo lëndimi nga protestuesit. Të shtunën, një nga drejtuesit e kësaj lëvizjeje Dardan Molliqaj, tha se sigurimi i ambasadores Jacobson dhe organet e rendit janë ata që mbajnë përgjegjësi për lëndimin e lehtë të ambasadores.

As edhe një aktivist, e ka pas edhe të pamundur, edhe po të kish tentuar, edhe pse nuk ka tentuar, që ta prekë ambasadoren dhe për këtë ka dëshmi. Nëse kërkohet që Vetëvendosja të distancohet nga lëndimet që i ka shkaktuar sigurimi i saj, kjo është e pakuptimtë, sepse ne nuk kemi pas asnjë qëllim që të lëndojmë dikë”, tha zoti Molliqaj.

Incidenti ka nxitur edhe debate nëse autoritetet e rendit e kanë bërë si duhet punën e tyre për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sigurinë e përfaqësuesve diplomatik.

Protesta synonte pengimin e ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila siguron një shkallë të lartë të autonomisë për komunat veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Të premten, udhëheqësit e Bashkimit Evropian vendosën fillimin e negociatave me Kosovën për marrëveshjen e stabilizim asocimit, një vendim që nga institucionet vendase e ndërkombëtare në Kosovë, vlerësohet si hap shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lëvizja Vetëvendosje tha të dielën se ky do të duhej të ishte lajm i gëzueshëm për Kosovën. Por, sipas Vetëvendosjes, “forma dhe përmbajtja në të cilën po i ofrohet Kosovës hapja e negociatave për MSA e bën këtë lajm të trisht”.

Në një komunikatë të kësaj lëvizjeje thuhet mes tjerash se “Kosovës nuk po i jepet mandati për hapjen e negociatave për MSA për shkak se Kosova ka përmbushur kriteret e parapara me prioritet, por për shkak se kjo qeveri i është nënshtruar Serbisë në dialog”.
XS
SM
MD
LG