Lidhje

Kosova ngushëllon Shtetet e Bashkuara


Udhëheqësit politikë të Kosovës ngushëlluan presidentin amerikan Barack Obama pas shpërthimeve në Boston

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, por edhe udhëheqës të tjerë institucionesh e partish politike, ngushëlluan presidentin amerikan, Barack Obama, pas shpërthimeve gjatë maratonës së Bostonit, ku disa qytetarë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën.

Në telegramin e ngushëllimit të presidentes Jahjaga thuhet se “institucionet e Kosovës dënojnë këto akte të dhunshme që morën jetët e qytetarëve të pafajshëm amerikanë, me besimin e plotë se sulmet e tilla nuk do t'i zbehin vlerat dhe idealet e shtetit dhe shoqërisë suaj, që mbesin inspirim për tërë botën, e cila synon ndërtimin dhe realizimin e demokracisë dhe lirisë së mirëfilltë. Lutjet tona janë me ju, me popullin amerikan dhe familjarët e viktimave në këto momente të vështira”.

Duke shprehur pikëllimin për ngjarjet në Boston, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci thotë në telegramin e tij se “Qeveria e Kosovës dhe i gjithë populli i Kosovës u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në momentet më të vështira, por edhe tani kur shteti ynë po konsolidohet drejt rrugës euroatlantike. Prandaj, në këto ditë të dhimbshme, jemi me ju, familjet e viktimave dhe të lënduarve”.
XS
SM
MD
LG