Lidhje

SHBA ndau edhe 37 milion dollarë për Kosovën


Fondet do të mbështesin pos tjerash sundimin e ligjit dhe nxitjen e investimeve

Qeveria amerikane ndau sot një fond prej mbi 37 milion dollarësh për të mbështetur një game të gjerë veprimtarish në fushën e sundimin të ligjit dhe qeverisjes, rritjes së investimeve dhe punësimit në sektorin privat, si dhe për programet për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në Kosovë.

Marrëveshja për ndarjen e këti fondi u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, dhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen Shauket.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë marrëveshje e cila, siç tha ajo, “sikurse edhe marrëveshjet e tjera ndërmjet dy shteteve, janë themel i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm dhe një ndihmë e jashtëzakonshme për Kosovën në ngritjen e kapaciteteve të saj, nga ana e Shteteve të Bashkuara”.

Ndërsa ambasadorja Jacobson tha se “qeveria e Shteteve të Bashkuara mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në përpjekjet e saj për forcimin e demokracisë në vend përmes investimeve që nxisin sundimin e ligjit dhe e bëjnë atë vend më tërheqës për investime”.
XS
SM
MD
LG