Lidhje

Përfundon protesta e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së


Ato po kërkojnë nga Universiteti publik i Prishtinës regjistrimin e një mijë studentëve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës..

Në Prishtinë përfundoi protesta disaorëshe në oborrin e rektoratit të Universitetit publik të Prishtinës e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po kërkojnë regjistrimin e 1 mijë studentëve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës jashtë konkursit të rregullt.

Protestë me tensione e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Në një takim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës me ministrin e arsimit Ramë Buja dhe përfaqësuesit e protestuesve është arritur marrëveshje që gjatë javës së ardhshme një komision i përbashkët të shqyrtojë listën e kandidatëve të shoqatave të dala nga luftë që duan të regjistrohen.

Ramë Buja tha se ai është garantuesi që çështja do të zgjidhet gjatë javës së ardhshme dhe i siguroi protestuesit se fëmijët e veteranëve do të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës.

Protesta e sotme u përshkua me tensione. Policia tha se tre pjesëtarë të saj janë lënduar gjatë veprimeve të saj “për të mbajtur nën kontroll situatën si dhe për të kontrolluar sjelljet agresive të disa protestuesve”.

Disa qindra protestues kërkuan dorëheqjen e rektorit të Universitetit publik Ramadan Zejnullahu për shkak të moszbatimit të kresave të tyre. Kërkesa mbështetet në një marrëveshje mirëkuptimi të nënshkruar me rektoratin e Universitetit të Prishtinës në vitin 2009 që parashihte lehtësira për studentët e kësaj kategorie. Por, kjo marrëveshje nuk është mbështetur nga rektori Ramadan Zejnullahu, me gjithë faktin se ai ishte urdhëruar për zbatimin e saj edhe nga ministri aktual i arsimit, Ramë Buja.

Çështja është bërë temë diskutimesh që nga fillimi i muajit tetor kur edhe ka përfunduar afati i regjistrimit të studentëve të rinj. Një pjesë e organizatave joqeveritare kanë kërkuar një qasje me përzgjedhëse gjatë trajtimit të fëmijëve të shoqatave të dala nga lufta. Ndërsa, organizatat për të drejtat e njeriut dhe të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që të ruhet autonomia e Universitetit të Prishtinës, më i madhi dhe më i vjetri në Kosovë.

XS
SM
MD
LG