Lidhje

Fatmir Limaj lirohet nga arresti shtëpiak


Një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i u hoqi masën e arrestit shtëpiak deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë të tjerëve që po gjykohen nën akuzat për krime lufte.

Një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, vendosi të heq masën e arrestit shtëpiak për deputetin e Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë të tjerëve që po gjykohen nën akuzat për krime lufte.

Por, deri në përfundimin e procesit gjyqësor ata janë të detyruar që për çdo ditë të paraqiten në stacionin policor. Pasaportat e tyre mbeten të konfiskuara dhe ata nuk mund të largohen nga Kosova.

Në një njoftim të EULEX-it thuhet se “trupi gjykues vendosi që ta zëvendësojë masën e arrestit shtëpiak me masën e lajmërimit në stacionin policor meqë në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit është thënë se masa e arrestit shtëpiak ishte kryesisht e nevojshme për ta shmangur rrezikun e ndikimit tek dëshmitarët. Dëshmitari i fundit i prokurorisë ka dëshmuar më 5 qershor”.

Procesi pritet të vazhdojë më tre korrik kur fillon paraqitja e fjalës përfundimtare të të akuzuarve.

Zoti Limaj, u arrestua më 24 nëntor të vitit të kaluar, kur qe vendosur kthimi i tij në rigjykim nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe kundër të burgosurve të luftës, në pjesën e parë të vitit 1999.Që nga marsi i këtij viti, ai nodhet ne arrest shtëpie.

Në muajin maj të vitit 2012, zoti Limaj qe shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat, që mbështeteshin kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit 2011, kur kreu vetëvrasje në Gjermani.

Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë. Më 21 mars të vitit 2012, pohimet e dëshmitarit qenë shpallur të papranueshme nga gjykata.

Kjo është hera e dytë që zoti Limaj përballet me akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Rigjykimi i vendosur në nëntor të vitit që lamë pas, po zhvillohet krahas procesit tjetër gjyqësor ndaj zotit Limaj nën akuzat për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion, që lidhen me periudhën kur zoti Limaj ishte Ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit në qeverinë e kryeministrit Hashim Thaçi.
XS
SM
MD
LG