Lidhje

Aktakuzë ndaj një serbi të Kosovës për krime lufte


Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se ka paraqitur aktakuzë ndaj pjesëtarit të komunitetit serb, Milorad Zajiç, nën dyshimet për veprën penale të krimeve të luftës.

Sipas aktakuzës, "i pandehuri gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 1998 ka marrë pjesë aktive në sulmet e organizuara kundër popullatës shqiptare nga pjesëtarë të forcave serbe në fshatin Dush të Komunës së Klinës".

I pandehuri, të cilin prokuroria e identifikon vetëm më nistoret e emrit të tij, "ka kryer sulme kundër popullatës shqiptare në cilësinë e policit, ushtarit dhe paraushtarakut serb, së bashku me serbët e tjerë të fshatit Dush, me ç’rast së bashku me N.N. personat, ka përgatitur sulme ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare dhe ka ofruar shtëpinë e tij në dispozicion të forcave serbe. Më 19 qershor 1998, rreth orës 12:00, në fshatin Dush, i veshur në pjesën e epërme me uniformë ushtarake dhe në pjesën e poshtme me pantallona civil, nga vetura e tij, 'Zastava 101', me ngjyrë të verdhë, ka shkarkuar te shtëpia e tij armë të kalibrave të ndryshëm. Në mbrëmje të asaj date, nga ballkoni i shtëpisë së tij, i pandehuri ka shtënë me armë automatike në drejtim të popullatës civile të pambrojtur, e cila nga frika, kërcënimet dhe sulmet e pandërprera të armatosura, ishte detyruar të largohet tërësisht nga fshati. Por në këtë rast janë larguar vetëm personat, të cilët kishin mundësi fizike, ndërsa ata që nuk kishin mundësi, si: Z., O. dhe H.M., ky i fundit i paralizuar, qëndruan në shtëpinë e tyre në fshatin Dush, me ç’rast pasditen e të njëjtës datë filluan sulmet e serbëve në drejtim të fshatit, ku nga shtëpia e të pandehurit u dhanë urdhra, u mbajtën pikat e forcave serbe, veçanërisht pikat e topave, të cilat ishin më të rëndësishmet për ushtrinë serbe gjatë sulmeve në ofensivën ushtarake të datës 28.07.1998, ku u dogjën tërësisht shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Dush, ndërsa brenda tyre u dogjën Z., O. dhe H.M.

Aty u plagosën E.M. dhe R.M, kurse sulmet zgjatën gjatë muajve qershor- korrik të vitit 1998. Si pasojë e dëbimit të dhunshme nga shtëpitë e tyre janë vrarë dhe djegur gruaja dhe vajza e të dëmtuarit, Xh.M, në fshatin Ruhod të Pejës, I.M. dhe B.M", thuhet në tekstin e aktakuzës.

Milorad Zajiç, është arrestuar në muajin mars të këtij viti në Klinë.

Mbi 10 mijë veta janë vrarë gjatë luftës në Kosovë e cila morri fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s.

Nëntë vjet pas luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, por është përfshirë në një proces bisedimesh me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG