Lidhje

Kosovë: Tetë vjet heqje lirie për krime lufte


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, bëri të ditur se një shqiptar nga Kosova është dënuar me tetë vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë, shpalli fajtor të akuzuarin Xhemshit Krasniqi, për kryerjen e veprës penale “krime të luftës kundër popullsisë civile” dhe “armëmbajtje pa leje".

Sipas gjykatës, ai është fajtor "për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa dëshmitarëve dhe civilëve të panjohur në kampet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kukës dhe Cahan, në veriun e Shqipërisë si dhe në Prizren gjatë vitit 1999. I akuzuari i kreu veprat e tij në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të UÇK-së", thuhet në njoftim.

Krahas dënimit prej tetë vjetësh heqje lirie, ai u dënua edhe më një gjobë prej 1 mijë e 500 eurosh.

Xhemshit Krasniqi qe arrestuar në vjeshtën e vitit 2015 pas një periudhe arratisjeje.

XS
SM
MD
LG