Lidhje

Akuzë për krime lufte në Kosovë


Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se të premten është ngritur aktakuzë për krime të luftës kundër popullatës civile, ndaj një personi lidhur veprime të cilat pretendohet se janë kryer në Fushë Kosovë, afër Prishtinës me ose rreth datës 26 mars të vitit 1999.

Prokuroria nuk ka bërë të ditur identitetin e tij por tha se aktakuza është ngritur " pas ekstradimit të të pandehurit nga Bosnja".

I akuzuari është shtetas serb i përkatësisë kombëtare rome ndërsa ishte arrestuar në Bosnjë e Hercegovinë në gusht të vitit 2016, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga një gjykatës i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Prishtinë më 13 shkurt të vitit 2013.

Në vendimin për paraburgimin e tij pas dorëzimit tek autoritetet e Kosovës, thuhej se "i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviç, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën e lartpërmendur te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat".

Sipas prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur. Njëri prej tyre ishte Haki Bajrami, trupi i të cilit ishte gjetur në një varrezë në periferi të Prishtinës dhe ishte identifikuar më 17 gusht të vitit 2000.

Në shkurt të vitit 2014, një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, dënoi me tetë vjet heqje lirie Ivan Radivojeviçin nën akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile.

Ai ishte arrestuar në korrik të vitit 2013.

XS
SM
MD
LG