Lidhje

Dy serbë të akuzuar për krime lufte në Kosovë


Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti të mërkurën aktakuzë kundër dy pjesëtarëve të komunitetit serb për veprat penale “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Prokuroria nuk e bëri të ditur identitetin e tyre.

Në një njoftim thuhet se “i pandehuri, Z.K., gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, ka shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare kundër personave civil dhe pasurisë, konkretisht rregullat e luftës të përcaktuara me Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë”.

Sipas prokurorisë, “i pandehuri Z.K. me datën 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme të komunës së Ferizajt, ka marrë pjesë drejtpërdrejt në sulmin ndaj popullsisë civile të përkatësisë kombëtare shqiptare, konkretisht ndaj nëntëmbëdhjetë anëtarëve të një familje që nuk ka marrë pjesë aktive në konflikt të armatosur. Gjatë atij aksioni, i pandehuri përveç tjerash ka marrë pjesë në maltretimin e anëtarëve të kësaj familje, shkatërrimin e pasurisë se tyre, dëbimin nga vendbanimi i tyre, rrëmbimin dhe vrasjen e civilëve O.N., B.N., A.N dhe B.N., anëtarë të kësaj familje”.

Ndërkaq, i pandehuri D.Sh., thuhet në njoftim “më 01 prill 1999, në cilësinë e inspektorit policor, i armatosur me armë automatike, me qellim të përdhosjes, poshtërimit dhe trajtimit nënçmues të trupave të pa jetë të O.N., B.N., A.N., B.N dhe I.R, të vrarë nga forcat policore dhe paramilitare serbe, ka urdhëruar që trupat e tyre të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare”.

Lufta gati dyvjeçare në Kosovë përfundoi pas ndërhyrjes së NATO-s në pranverën e vitit 1999, për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe. Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe më shumë se 20 vjet më pas, nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG