Lidhje

Diplomatët perëndimorë në Prishtinë: Merruni me koronavirusin - jo me politikë


Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u bënë thirrje udhëheqësve të Kosovës të përqendrohen në luftën kundër koronavirusit dhe jo në çështjet politike.

Në një komunikatë të përbashkët të ambasadave thuhet se “në këtë kohë të vështirë, u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve institucional dhe politik që të përqendrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat Kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”.

“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, zyra e Bashkimit Evropian dhe shefat e misioneve të vendeve të BE-së nëpërmjet një komunikate thanë se është koha për unitet politik.

“Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për orientim të qartë dhe për të qenë të sigurt se po merren të gjitha masat për të zbutur ndikimin e pandemisë. U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve institucional të punojnë së bashku në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të përqendrojnë energjitë e tyre drejt luftës kundër pandemisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politik apo institucional, kjo është kohë për unitet politik”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të diplomatave evropianë.

Thirrjet e diplomatëve u bënë në një kohë kur vendi është përfshitë në krizë politike dhe përplasje rreth vendimit të qeverisë për të kufizuar lëvizjet e qytetarëve. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim duke e cilësuar atë si jo kushtetues.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG