Lidhje

Kosovë: Diplomatët perëndimorë nuk mbështesin asnjë pozicion politik


Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, thanë të enjten se takimet e tyre me udhëheqës politikë dhe institucional nuk nënkuptojnë mbështetje për ndonjë pozicion të caktuar.

Në një deklaratë të përbashkët, këto ambasada thanë se dëshirojnë të njoftojnë që “ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të marrë informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozicion të veçantë apo rrjedhë veprimesh. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”, thuhet në komunikatë.

Këto komente u bënë pak orë pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se i ka njoftuar ambasadorët perëndimorë “se shumica absolute e partive politike janë në favor të formimit të qeverisë së re pa shpërbërjen e Kuvendit dhe konform këtij vullneti të shprehur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ka kërkuar nga LDK-ja kandidatin apo kandidaten për të formuar Qeverinë e re”.

Më herët gjatë ditës Lidhja Demokratike e Kosovës Avdullah Hotin mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës, pak kohë pasi mori kërkesën nga presidenti Hashim Thaçi për emrin e mandatarit të mundshëm.

Lëvizja Vetëvendosje i cilëson këto zhvillime jokushtetuese dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nëse presidenti mandaton dikë jashtë kësaj lëvizjeje, që është fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u takua po ashtu me diplomatët perëndimorë të cilëve, siç thuhet në një njoftim, u tha se “veprimet e fundit të Presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik. Ai shtoi se, si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar. Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti u rrëzua me një mocion votëbesimi të ngritur nga Lidhja Demokratike më 25 mars.

XS
SM
MD
LG