Lidhje

Kosovë: Prokurorët do të analizojnë bisedat e përgjuara


Në Kosovë, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi vendosi të premten të krijojë një ekip të prokurorëve nga zyra e tij dhe Prokuroria e Posaçme e Kosovës, që do të verifikojë dhe analizojë përmbajtjen e bisedave të përgjuara, të publikuara rishtazi në Kosovë.

Gazeta në internet, Insajderi.com, publikoi një pjesë të përgjimeve të bisedave të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në të cilat, sipas gazetës, shfaqet ndikimi i ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate gjatë muajve të fundvitit 2011. Në dhjetor të vitit 2012 qenë publikuar disa syresh në të cilat përfshiheshin çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, tha atëbotë se regjistrimi i bisedave telefonike ishte bërë më urdhër gjykate në kuadër të hetimeve në ministrinë e Transportit, Postës dhe Telekomunikacionit.

Kryeprokurori i shtetit, nëpërmjet një komunikate tha të premten se ka pranuar një raport nga prokurori ndërkombëtar i EULEX-it, i cili është i ngarkuar me rastin e ministrisë dhe mori vendim për formimin e komisionit të prokurorëve vendës në përbërje të një prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe dy prokurorëve nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës.

"Ky komision do të ketë objekt të analizimit dhe vlerësimit të gjitha ato materiale-transkripte origjinale të përgjimeve të telekomunikimeve, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në aktakuzën e ngritur, kundër ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, nga ana e prokurorit ndërkombëtar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i fillojë hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer", thuhet në njoftimin e zyrës së kryeprokurorit.

Kryeprokurori i EULEX-it e kishte ngarkuar të enjten prokurorin përgjegjës për rastin e lidhur me hetimet në atë ministri "për të bërë një vlerësim të përmbajtjes së telekomunikimeve të përgjuara, për të gjetur nëse ekziston ose jo dyshimi i bazuar për inicimin e hetimit për pohimet e përmbajtura që dallojnë nga ato për të cilat tashmë është marrë vendimi për ndërprerjen e hetimit".

Tash për tash nuk dihen hollësi të raportit që do të shqyrtohet nga ekipi i krijuar nga kryeprokurori i shtetit.

Përgjimet kanë të bëjnë me rastin e ish Ministrisë së Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë. Ambasadori amerikan Greg Delawie tha se "inkurajon palët e përfshira që të vazhdojnë me një analizë të plotë dhe transparente. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, shkroi ai në rrjetin social twitter.

Lëvizja Vetëvendosje i bëri thirrje prokurorisë që t'i çojë hetimet deri në fund.

Pesë vjet më parë, kur qenë shfaqur përgjimet e para, qeveria që drejtohej nga ish kryeministri Hashim Thaçi, kishte kërkuar ndriçimin e tyre, ndërsa kishte theksuar se "mekanizma të caktuar vendor dhe ndërkombëtarë, se përmes nxjerrjes së regjistrimeve synojnë të shtantazhojnë institucioneve shtetërore".

Pesë vjet më pas, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka theksuar se publikimi i bisedave "është tendencë për eliminime politike". Të enjten ai tha se është i gatshëm të përgjigjet për veprimet e tij.

Jam i gatshëm t’i përgjigjem në çdo kohë drejtësisë, respektoj shtetin tim, respektoj institucionet e mia, respektoj ligjet, dhe kurrë nuk kam tentuar të dalë mbi ligjin. Mirëpo, jam shumë i vetëdijshëm edhe për përgjegjësitë e mia. Nëse është vepër penale, nëse është krim për të kontribuar për të hapë vende të punës, për të punësuar njerëz, unë atëherë kërkoj nga drejtësia, ja ku jam, edhe unë jam i gatshëm të përgjigjem”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje tha se bisedat e publikuara "janë edhe një arsye më shumë që nuk duhet pranuar marrëveshjet dhe vendimet e marra" nga protagonistët e tyre, duke ju referuar edhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, e cila ka nxitur ndarje të thella ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

XS
SM
MD
LG