Lidhje

Kosovë: Arbana Xharra, fituese e çmimit për gra të guximshme


Zonja Xharra, kryeredaktore e gazetës Zëri të Prishtinës, është në mesin e fituesve të çmimit që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit.

Kryeredaktorja e të përditshmes Zëri, Arbana Xharra, është fituese e Çmimit prestigjioz Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, që ndahet nga sekretari amerikan i shtetit.

Çmimi i nderon gratë anekënd botës, të cilat kanë treguar guxim dhe udhëheqje të pashoqe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe përparimin shoqërorë. Përveç kësaj, ky çmim i nënvizon përparësitë strategjike të Byrosë Evropiane në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe luftimin e korrupsionit.

Ky është çmimi i vetëm i departamentit të shtetit, i cili i nderon udhëheqëset nga e tërë bota.

Në një njoftim të ambasadës amerikane thuhet se “raportimi i Arbana Xharrës kontribuon në forcimin e demokracisë së Kosovës. Raportimet e saj të hershme mbi ekstremizmin fetar dhe ndikimin e tij në shoqëri kanë zbardhur një çështje serioze për Kosovën dhe tërë rajonin. Xharra është autore e një sërë raportesh hulumtuese mbi ekstremistët islamikë që veprojnë në Kosovë, si dhe ka zbuluar lidhjet financiare dhe operative me organizatat e huaja terroriste. Këto përpjekje jo vetëm që e ndihmuan shoqërinë ta kuptojë problemin, por edhe nxitën përpjekjet e qeverisë për ta adresuar këtë çështje. Reagimet ndaj raportimeve të saja rezultuan me sulme të hapura mbi reputacionin e saj dhe kërcënime për jetën e saj dhe kundër familjes së saj. E papërkulur, Xharra vazhdon të raportojë mbi keqpërdorimet në institucionet publike”.

Departamenti i Shtetit do të organizojë ceremoninë për ndarjen e Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme të enjten me 5 mars.

Krahas zonjës Xharra, këtë cmim e kanë fituar edhe Niloofar Rahmani nga Afganistani, Nadia Sharmeen nga Bangladeshi, Rosa Julieta Montaño Salvatierra nga Bolivia, May Sabe Phyu nga Burma, Béatrice Epaye Republika e Afrikës Qendrore, Marie Claire Tchecola nga Guinea, Sayaka Osakabe nga Japonia, Tabassum Adnan nga Pakistani dhe Majd Chourbaji nga Siria.

XS
SM
MD
LG