Lidhje

Kosovë: Akuzë për tentim pjesëmarrjeje në grup terrorist


Arkiv. Policia e Kosovës gjatë një operacioni arrestimesh
Arkiv. Policia e Kosovës gjatë një operacioni arrestimesh

Prokuroria e posaçme e Kosovës akuzoi sot një shqiptar për shkak të përpjekjeve për t’ju bashkuar organizatës terroriste

Në Kosovë, prokuroria e posaçme tha se ka ngritur aktakuzë kundër një personi për siç thuhet, “kryerjen në tentativë të veprës penale, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Bekim Sejdiu dyshohet se “me synimin që t’i bashkohet organizatës terroriste “ISIS”, në luftën në Siri, ka blerë tre bileta të aeroplanit për të udhëtuar nga Prishtina për në Stamboll, me qëllim që nga Stambolli, me autobus, të udhëtojë në qytetin turk Gaziantep, e pastaj personat e panjohur do ta dërgonin në qytetin Raka të Republikës Arabe të Sirisë, për t’iu bashkuar luftëtarëve të ISIS-it”.

Më 1 gusht 2014, gjatë kontrollit të pasaportave në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, policia e ishte ka ndaluar të pandehurin së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tyre.

Ndërmarrja e këtyre veprimeve tregon se dashja e tij për të iu bashkuar organizatës terroriste “ISIS”, ka mbetur në tentativë, për shkak të pengesës që i ka bërë policia e Kosovës, që të mos udhëtojë nga Prishtina për në Stamboll”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Shërbimet e zbulimit besojnë se janë disa qindra shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria që mund të jenë duke luftuar në radhët e militantëve në lindjen e Mesme. Deri tash më shume se 20 qytetarë të Kosovës kanë humbur jetën në ato luftëra.

Javën e kaluar kryeprokurori i Kosovës, Sylë Hoxha, tha se janë duke u zhvilluar hetime kundër 130 personave nën dyshimet për përfshirje në veprat penale të terrorizmit.

Qeveria e re e Kosovës paralajmëroi dërgimin e shpejtë për miratim në parlament, të ligjit për luftëtarët e huaj që synon parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit.

Projektligji parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për pjesëmarrësit në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG