Lidhje

Kosovë, vazhdon marrja ne pyetje e grave të kthyera nga Siria


Një gjykatë në Prishtinë vazhdoi të mërkurën dëgjimin e një grupi grash të kthyera nga Siria, nën dyshimet për përfshirjen në grupet terroriste.

Të martën, gjykata u caktoi masën e arrestit shtëpiak dhjetë grave, të cilat dyshohet se që nga viti 2014 e deri në kthimin e tyre para pak ditësh, kanë qenë në zonat e konfliktit.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ato do të qëndrojë në arrest shtëpie derisa po vazhdojnë hetimet nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Kosovë, vazhdon marrja ne pyetje e grave të kthyera nga Siria
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00

Ligji që dënon një pjesëmarrje të tillë deri në 15 vjet heqje lirie, është miratuar në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës.

Gjatë ditës së sotme gjykata është duke dëgjuar gjashtë gra, pjesë e grupit prej 110 personave, të cilët të premten mbrëma u kthyen në Kosovë, në një operacion të qeverisë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në mesin e të kthyerve janë katër luftëtarë që tashmë ndodhen në paraburgim, 32 gra, si dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se hetimet janë hapur ndaj të gjitha grave të kthyera.

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Autoritetet në Kosovë thonë se ata që kanë kryer vepra penale do të përgjigjen para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohen mundësi për rehabilitim dhe ri integrim.

Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 syresh janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG