Lidhje

Parlamenti mblidhet pasdite - Vetëvendosje e LDK refuzojnë ofertat e njëra tjetrës për qeverinë


Parlamenti i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit mblidhet për herë të parë sot pasdite, por mbledhja e gjen atë pa një marrëveshje për ngritjen e institucioneve të reja. Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, që dolën të parat në votime janë duke vazhduar të paraqesin oferta dhe kundër oferta

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha sot pas një takimi të kryesisë së partisë së tij se "marrëveshja duhet të përfshijë ndarjen reciproke të pushtetit, pesë ministri për Vetëvendosjen dhe pesë për LDK-në. Posti i kryeministrit për Vetëvendosjen, kurse i zëvendëskryeministrit të parë për LDK-në. Kurse kryetari i Kuvendit dhe posti i presidentit, sipas tij, duhet t’i besohen LDK-së. Në shkëmbim, ai tha se Vetëvendosje pastaj më 2021, kur do të zgjidhej presidenti, do të merrte edhe një ministri nën udhëheqje.

"Nëse lëvizja Vetëvendosje nuk është gati për këtë marrëveshje dhe e sheh LDK-në si pengesë, atëherë unë deklaroj që LDK-ja është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha përgjegjësitë institucionale. LDK shpreh gatishmërinë që të votojë pa asnjë kusht qeverinë e lëvizjes Vetëvendosje", tha zoti Mustafa.

Të mërkurën në mbrëmje kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social facebook, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ofertën e fundit të partisë së tij.

“Oferta ime e parmbrëmshme, 23 dhjetor, u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-ja për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe ministrinë për Komunitetet”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, shkroi ndërkaq se gatishmëria e lëvizjes Vetëvendosje për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, por duke kërkuar më shumë hise në qeveri, nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që pjesë e marrëveshjes për koalicionin qeverisës me lëvizjen Vetëvendosje duhet të jenë të gjitha pozitat udhëheqëse të vendit, përfshirë edhe atë të presidentit të vendit.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse në të kaluarën. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional që mund të ketë pasoja për të ardhmen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG