Lidhje

Kosovë: Dënohet gjerësisht dëmtimi i varrezave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në Rahovec


Autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë dënuan të premten dëmtimin e varrezave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas në një incident të pandriçuar në komunën e Rahovecit, në perëndim të Prishtinës.

Ata bënë thirrje që organet e rendit të ndriçojnë incidentin të cilin presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e cilësoi “një akt të ultë dhe të papranueshëm në shoqërinë tonë shumetnike”. Komunitetet, shkroi si në një postim ne facebook, “janë pasuri e Republikës së Kosovës. Harmonia ndëretnike është shembull për gjithë rajonin dhe nuk e lejojmë askënd që ta prishë atë!”.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e dënoi dëmtimin e varrezave që ndodhi “një ditë pas kremtimit të ditës së romëve, që ishte një kremte përkushtuar nderimit të kulturës së komuniteteve dhe kontributit të tyre për shoqërinë e Kosovës”. Misioni përgëzoi reagimin e kryetarit të komunës Smajl Latifi, i cili e dënoi fuqishëm incidentin.

“Ne qëndrojmë së bashku dhe solidarizohemi me komunitetet në Kosovë për të dënuar këtë akt të ulët të vandalizmit dhe përdhosjes. Distancohemi qartë nga veprime të tilla kriminale. Kosova është vendlindja jonë e përbashkët, e harmonisë dhe bashkëjetesës, andaj çdo akt të dhunës dhe shpërfilljes së integritetit njerëzor, e dënojmë fuqishëm”, shkroi zoti Latifi duke kërkuar ndriçimin sa më të shpejtë të “këtij akti ç’njerëzor dhe autorët e këtij veprimi të turpshëm të dalin para drejtësisë”.

Partia Liberale Egjiptiane, tha se “i dënon ashpër aktet e tilla të cilat nuk e prezantojnë imazhin e demokracisë së Kosovës dhe ju bën thirrje autoriteteve dhe organeve hetimore që të zbardhët sa më shpejtë rasti në fjalë. Për Partinë Liberale Egjiptiane rastet e tilla janë të papranueshme dhe ne për së afërmi do t’i monitorojmë hetimet nga organet kompetente deri sa të sillet drejtësi”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, reagoi ashpër duke kërkuar hetime të shpejta dhe nxjerrje para drejtësisë “të atyre që vandalizuan varrezat e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve që janë integruar në shoqërinë kosovare dhe duke u dëshmuar se janë konstruktiv. Në vend të ndihmave për të cilat kanë shumë nevojë këto komunitete sidomos tani në kohën e pandemisë, rrënimi i varrezave është veprim jonjerëzor dhe i dënueshëm”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG