Lidhje

Kosovë: Arrestohet punonjësi i thesarit për transferim të paligjshëm të dy milionë eurove


Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një person dhe është në kërkim të dy të tjerëve nën dyshimet për transferimin e një shume prej mbi 2 milionë eurosh nga llogaria e thesarit të shtetit në llogari të një kompanie private.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i tha Zërit të Amerikës se “është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve. Nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit”, tha zoti Hoxha.

I arrestuari L.G. punonjës i thesarit të Kosovës, dyshohet se ka transferuar mbi 2.1 milionë euro përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk me seli në fshatin Llapushnik të komunës së Gllogocit rreth 30 kilometra larg Prishtinës.

Autoritetet thanë se personat K.Sh dhe V.Sh, që janë të lidhur me këtë kompani ndodhen ne arrati.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se shuma është transferuar në katër transaksione të ndara bankare dhe është kryer nga zyrtarë që punojnë brenda thesarit.

“Njëri është i suspenduar sepse ka qenë në vijë raportuese, domethënë jo drejtpërdrejtë i involvuar, ndërsa zyrtari përmes llogarisë të të cilit janë kryer transferet është arrestuar, ndërkohë që është suspenduar eprori i tij”, tha zonja Bajrami.

Transaksionet janë kryer me datën nëntë tetor, ndërsa të martën ministria e Financave e ka denoncuar atë tek organet përgjegjëse.

Ministrja Bajrami tha se “ky është një rast i izoluar më te cilin po merret intensivisht edhe ministria e Financave dhe organet e rendit. Mjetet e tyre dhe buxheti i Kosovës është i sigurt. Nuk është tërheqje e mjeteve kesh, por përmes llogarisë sepse mjetet e buxhetit të Republikës së Kosovës janë në Bankën Qendrore të Kosovës dhe janë të sigurta”, tha ajo në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë.

Partia Demokratike e Kosovës kërkoi përgjegjësi nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami si dhe kryeministri Hoti për “këtë krim ekonomik qeveritar”.

“Për t’i dhënë hapësirë hetimeve të pavarura, e për t'ju shmangur ndërhyrjes politike, PDK kërkon dorëheqjen e Ministres Bajrami dhe fton organet e drejtësisë që të hetojnë çdo individ që është përfshirë në këtë krim qeveritar”, thuhet në një njoftim të kësaj partie.

Thesari është themeluar me rregulloren e UNMIK-ut në vitin 1999. Me krijimin e Autoritetit Qendror Fiskal në dhjetor të vitit 2003 pas formimit të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe hartimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive Thesari është i vendosur dhe funksionon në kuadër te Ministrisë së Financave.

Thesari i Kosovës është përgjegjës për menaxhimin e fondit të Republikës së Kosovës si dhe përmbushjen e të gjitha përgjegjësive për Menaxhimin e Financave Publike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG