Ministri i jashtëm i Greqisë Nikos Kotzias thotë se është i bindur se një marrëveshje paraprake për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, do të ratifikohet plotësisht pavarësisht kundështisë në të dy vendet.
Zoti Kotzias tha se shpreson dhe beson se maqedonasit do ta mbështesin ndryshimin e emrit në "Maqedonia e Veriut" në referendumin e 30 shtatorit.
Nëse zbatohet, marrëveshja do t’i jepte fund një mosmarrëveshjeje shumë vjeçare mes dy vendeve dhe do të lehtësonte pranimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Të enjten zoti Kotzias tha gjithashtu se sapo parlamenti maqedonas të amendojë kushtetutën e vendit për të përshtatur ndryshimin, ligjvënësit grekë gjithashtu do të ratifikojnë marrëveshjen edhe pse shumica e partive të opozitës e kundërshtojnë atë.
Ministri i jashtëm i Greqisë tha se afati për përfundimin e procesit ndoshta do të vonohet me rreth një muaj, deri në fund të janarit. Komentet zoti Kotzias i bëri pas bisedimeve në Athinë me ministrin e jashtëm gjerman Heiko Maas.
Facebook Forum