Lidhje

Ministri i Jashtëm grek Koxias mbërrin në Shkup për çështjen e emrit të Maqedonisë


Ministri grek i punëve të jashtme, Nikos Koxias vjen në Shkup pshkëmbimeve të draft-marrëveshjeve midis Athinës dhe Shkupit mbi emrin e Maqedonisë, një problem ky që daton prej pavarësisë së ish-republikës jugosllave në vitin 1991. Ai erdhi kësaj radhe me aeroplan, në aeroportin që ndryshoi emrin nga Aleksandri i Madh në Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi.

Zoti Koxias pritet të bisedojë me autoritetet qeveritare maqedonase mbi propozimet e paraqitura nga të dyja palët. Kryediplomati grek i zhvillon të premten takimet e punës me kryeministrin Zoran Zaev, me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi, ministrin e jashtëm Nikolla Dimitrov dhe kryetarët e partive VMRO DPMNE dhe BDI, Hristijan Mickovski dhe Ali Ahmeti.

Ministri grek ka folur për median në Athinë për pesë propozime konkrete dhe siç duket, referenca “Gorna Makedonija” (Maqedonia e epërme) pa përkthim në gjuhët tjera, është më e përshtatshme për palën greke. Një tjetër emërtim i pranueshëm, gjithnjë sipas spekullimeve nga Athina, është Republika Makedonija (Skopje), në shqip Republika e Maqedonisë (Shkupi), por edhe kjo e papërkthyeshme në gjuhët tjera.

Zyrtarët maqedonas nuk kanë dashur deri tash të flasin publikisht se cilat prej pesë propozimeve të ndërmjetësit Mattheë Nimetz janë të pranueshme. Dy nga pesë propozimet janë ato të lartpërmendura; të tjerat janë Maqedonia e Veriut, e Vardarit dhe e Re.

Por, referencat vetëm në trajtën sllave nuk janë të pranueshme për partitë politike shqiptare në Maqedoni, ndërsa qeveria greke kërkon edhe ndryshime në kushtetutën e Maqedonisë, në mënyrë që të ketë një lloj sigurie edhe për heqjen dorë të Shkupit nga irredentizmi dhe pretendimet territoriale.

Nga ana tjetër, qeveria në Shkup e aq më pak opozita nuk duken të gatshme për ndryshime kushtetuese. Sidomos, çështja e identitetit të popullit maqedonas është e padiskutueshme për palën maqedonase.

Kryeministri Zoran Zaev dëshiron që një marrëveshje kompromisi që do të arrihej mbi problemin e emrit të hidhej në referendum për të marrë pëlqimin e qytetarëve të Maqedonisë.

Ndërkaq, çështja vazhdon të thellojë përçarjet dhe mospajtimet në opinionin grek. Madje, ministri Koxias ka qenë në shënjestër të kërcënimeve para pak ditësh. Dikush i kishte dërguar atij një plumb në zarf. As opozita greke në krye me PASOK-un nuk e pranon termin Maqedoni për emërtimin e fqinjit verior. Po ashtu, edhe partneri qeveritar i SYRIZA-s së kryeministrit Aleksis Tsipras, partia Grekët e Pavarur e Panos Kamenos-it vazhdimisht ka kundërshtuar mundësinë e përdorimit të termit Maqedoni në një zgjidhje të mundshme të problemit të emrit me Shkupin.

Organizata nacionaliste maqedonase kanë paralajmëruar protesta para ministrisë së jashtme në Shkup, gjatë vizitës së ministrit grek.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG