Lidhje

Ndryshimi në KQZ, debate të gjata në parlament


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Shumica i shton kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI, denoncimin se emërimi ka qenë i paligjshëm, pasi sipas saj në 2013 ka qenë i shkarkuar nga detyra si prokuror

Në Shqipëri parlamenti është përfshirë sot në debate të gjata për cështjen e zëvendësimit të anëtarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja socialiste për Integrim, Ilirjan Muho. Opozita e ka cilësuar antikushtetues propozimin, ndërsa përfaqësuesit e shumicës i kanë mëshuar idesë se sipas tyre duhet të ruhet barazpeshimi politik mbi të cilin është ngritur Komisioni Qëndror dhe komisionet e tjera zgjedhore. Ndërkohë shumica ka deklaruar se emërimi i zotit Muho, me votat e të gjithë krahëve është sipas saj i paligjshëm pasi ai ka qenë më parë i shkarkuar nga detyra si prokuror, duke ja bashkangjitur kërkesës poër zëvendësimin e tij.

Debate në parlament për KQZ
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00


Debatet që kanë mbizotëriar ditët e fundit skenën politike shqiptare lidhur me vendimin me vendimin e shumicës për të zëvendësuar anëtarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të propozuar nga LSI, sot vetëm sa janë spostuar në sallën e parlamentit. Të dyja palët kanë përsëritur të njejtat argumenta të bëra publike gjerësisht si dhe kanë shkëmbyer akuza reciproke për përpjekje për manipulime në zgjedhjet e ardhshme të qershorit.

Politikisht opozita e ka cilësuar nismën e së djathtës një tentativë për të dhunuar një institucion të pavarur. Ligjërisht, ata flasin për një shkelje të hapur ligjore dhe kushtetuese, ndërsa i mëshojnë kodit zgjedhor i cili ka të specifikuar në mënyrë të detajuar rastet kur ndërpritet mandati një anëtari të KQZ-së, e mes të cilave nuk parashikohet që raportet politike në parlament të reflektohen sa herë ato ndryshojnë edhe në përfaqësimin në këtë Komision. Sipas sekretarit socialist për cështjet ligjore Fatmir Xhafaj, edhe propozimi për lirimin e zotit Muho është mbështetur në nenet që flasin për emërimin e një anëtari të Komisionit: “Ky projekt që ju sillni këtu është në kundërshtim me frymën e kushtetutës dhe kërkesat e ligjit. Eshtë një nonsens juridik. Ju nuk po dini t’i vini emër vendimit tuaj, është lirim, shkarkim apo zgjedhje, sipas vendimit që ju sillni këtu është zgjedhje”.

Nga ana tjetër interpretimi i shumicës ka qenë ai se sipas frymës së Kodit Zgjedhor, institucioni I KQZ dhe komisioneve të tjera është ndërtuar mbi barazpeshimin politik. Të djathtët i druhen faktit se me kalimin e LSI-së në opozitë, ata kanë humbur kontrollin jo vetëm mbi Komisionin qëndror, por edhe mbi komisionet e tjera, ku në të gjitha nivelet, shumica e anëtarëve janë përfaqësues të opozitës, dhe rishikimi i raporteve në komisionet e niveleve të dyta bëhet vetëm nga KQZ-ja. Por të djathtët bën publik sot edhe një fakt tjetër. Një dekret të vitit 2003 të presidentit të atëhershëm Alfred Moisiu, i cili kishte shkarkuar zotin Muho nga detyra si prokuror, pasi sic shpjegoi kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, kishte liruar nga burgu nje kriminel të rrezikshëm: “Dhe kësaj ju i thoni KQZ e pavarur, apolitike, e ndershme, që do jap zgjedhje të lira e të ndershme? Ky është turpi i parlamentit. Ndaj zotërinj të opozitës ju ftoj të bashkoheni me mazhrancën për të shkarkuar zotërinë nga detyra. Së pari për këtë që po them. Sigurisht me të njejtën peshë, qëndron arsyetimi I parimit të balancës mbi të cilën është ndërtuar KQZ-ja e sotme”.

Pasdite shumica përfshiu në kërkesën për lirimin e zotit Muho edhe faktin e shkarkimit të tij në 2003 duke ju referuar njërës prej pikave të kodit, ku përcaktohet se nuk mund të zgjidhet anëtar i KQZ-së dikush që është shkarkuar nga funksionet publike. Por deputetë të LSI-së në parlament, por më vonë edhe zoti Muho në një intervistë për televizionin “News 24” sqaruan se bëhej fjalë për një masë administrative e cila sipas ligjit për organizimin e Prokurorisë e ka efektin e saj vetëm 5 vjet. Edhe për rastin në fjalë për të cilin ishte shkarkuar, zoti Muho ka deklaruar se të gjitha shkallët e gjyqësorit i kishin dhënë të drejtë atij.
XS
SM
MD
LG