Lidhje

Kremlini: Evropa nuk e pranon realitetin në Ukrainë


Një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin tha se disa udhëheqës evropianë shfaqën ngurrim për të kuptuar "gjendjen reale" në juglindje të Ukrainës. Zëdhënësi i Kremlinit Dimityr Peskov i bëri komentet sot në Milano, pas një mëngjesi pune mes zotit Putin, homologut të tij ukrainas, Petro Poroshenko dhe udhëheqësve të tjerë evropianë. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se bisedimet nuk kanë arritur ndonjë sukses lidhur me konfrontimin në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko u takuan sot për herë të dytë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez François Hollande për të kërkuar një mënyrë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë.

Katër udhëheqësit, së bashku me ndihmësit, u takuan në një hotel të Milanos, në kuadrin më të gjerë të një samiti mes krerëve të vendeve aziatike dhe evropiane.

Sot në mëngjes, të katër ata u takuan me kryeministrin italian Matteo Renzi dhe atë britanik David Cameron për bisedime, të cilat një zëdhënës i Kremlinit më vonë i përshkroi si të vështira dhe plot mosmarrëveshjeve.

Kjo është një përpjekje tjetër për të zbutur tensionet mbi konfliktin në Ukrainë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi furnizimin e Ukrainës me gaz natyror rus.

Zoti Putin u takua më herët me kancelaren gjermane Angela Merkel. Takimi filloi disa orë me vonesë për shkak se zoti Putin arriti vonë në Itali. Bisedimet zgjatën më shumë se 2 orë e gjysmë dhe vazhduan deri pas mesnate. Të dyja palët pohuan se diskutimet nuk ishin produktive.

Ndërkaq, në bisedimet e zhvilluara në mëngjes me dyer të mbyllura me pjesëmarrjen edhe të udhëheqësve të tjerë, zonja Merkel e qortoi Presidentin Putin, sipas personave të pranishëm.

Pas komenteve të zotit Putin, në të cilat ai ngriti dyshime për sovranitetin e Ukrainës, zonja Merkel i kujtoi atij marrëveshjen e vitit 1994 në Budapest, në të cilën Rusia njohu sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë.

Më pas, Kancelarja gjermane tha se nuk bëhej fjalë për ndonjë sukses në bisedime.

"Deri tani nuk shoh aspak ndonjë sukses. Ne do të vazhdojmë të flasim. Ka pasur përparim në disa hollësi, por çështja kryesore është vazhdimi i shkeljeve të tërësisë tokësore të Ukrainës," tha zonja Merkel.

Kriza në Ukrainë pritet të mbizotërojë samitin e Azi-Evropë në Milano, ku Moska dhe qeveritë perëndimore po përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet për gazin dhe t'i japin fund luftimeve ndërmjet separatistëve pro-rusë dhe qeverisë ukrainase, të cilat vazhdojnë prej gjashtë muajsh.

Në qershor, Moska ndali furnizimet me gaz për Ukrainën për shkak të asaj që ajo i quan fatura të papaguara të Kievit, të cilat arrijnë në më shumë se 5 miliardë dollarë. Dy palët ende nuk kanë arritur në një formulë për rifillimin e furnizimeve, ndërkohë që po afrohet dimri dhe kërkesa e konsumatorëve evropianë pritet të rritet.

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Rusisë dhe vendeve perëndimore kanë rënë në pikën më të ulët që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj kryengritjes separatiste pranë kufirit rus dhe aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë. Aneksimi çoi në një raund të parë sanksionesh ekonomike të udhëhequra nga SHBA kundër Rusisë.

XS
SM
MD
LG