Lidhje

Kreu i FMN mbahet në burg nën akuzat për përpjekje përdhunimi


Kreu i FMN mbahet në burg nën akuzat për përpjekje përdhunimi
Kreu i FMN mbahet në burg nën akuzat për përpjekje përdhunimi

Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Stros-Kan, do të qëndrojë në një burg të Nju Jorkut, pasi një gjykatëse nuk pranoi ta lironte atë me kusht. Zoti Stros-Kan, i cili mbahet nën akuzat për përdorimin e forcës për të kryer marrëdhënie seksuale dhe përpjekje përdhunimi, është një prej figurave kryesore të politikës franceze dhe kandidat i mundshëm i Partisë Socialiste për president, por gjykata vendosi se ai mund të shmangë drejtësinë, duke ikur nga Shtetet e Bashkuara.

Dominik Stros-Kan doli para Gjykatës Kriminale në Manhatan. Ndaj tij u ngritën disa akuza, mes tyre për përdorimin e forcës për të kryer marrëdhënie seksuale dhe përpjekje përdhunimi. Ndihmës-prokurori i Përgjithshëm i distriktit të Nju Jorkut, Xhon Mekonëll paraqiti akuzat.

“I pandehuri mbajti me forcë në dhomën e tij një punonjëse të hotelit, e sulmoi atë seksualisht dhe u përpoq ta përdhunonte atë me forcë. Edhe pasi dështoi në këtë përpjekje, ai vazhdoi përpjekjet për ta përdhunuar atë”.

Zoti Mekonëll i kërkoi gjykatëses Melisa Xhekson të mohonte lirimin me kusht, duke thënë se zoti Stros-Kan zotëron burimet personale, politike dhe financiare që të paguajë miliona dollarë për lirimin me kusht dhe për të mos u kthyer.

Njëri prej avokatëve mbrojtës, Benjamin Brafman, ofroi një shumë prej 1 milion dollarësh për lirimin me kusht, që do të përfshinte gjithashtu lejen që zoti Stros-Kan të qëndronte me të bijën në Nju Jork, të mbante një mjet elektronik monitorimi dhe të dorëzonte dokumentat e udhëtimit.

Avokati Brafman tha se pala mbrojtëse ishte e zhgënjyer nga vendimi i gjykatëses Xhekson.

“Ne nuk besojmë se ai synon t’i shpëtojë drejtësisë. Synimi i tij kryesor është të sqarojë akuzat dhe të rikthejë emrin e tij të mirë”.

Ndërkohë që vazhdon grumbullimi i provave kriminale, prokurorët thonë se provat paraprake përfshijnë një rrëfim të qartë dhe të pandryshuar nga ana e viktimës, identifikimin e të pandehurit nga viktima dhe videot e hotelit, që e tregojnë zotin Stros-Kan tek largohet me nxitim.

Avokati mbrojtës Brafman argumentoi se klienti Stros-Kan ishte vonë për një drekë pune, para se të largohej nga aeroporti John F. Kennedy për në Francë dhe më pas për takime me udhëheqësit evropianë. Ai tha se klienti i tij bashkëpunoi me policinë sepse ai nuk ka asgjë për të fshehur.

Prokuroria thotë se ai mund të dënohet me 5 deri 25 vjet burg, nëse gjendet fajtor.

XS
SM
MD
LG