Lidhje

SHBA: Shtohen krimet e dhunshme


Krimet e dhunshme pësuan një rritje prej 3.9 për qind në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, por zyrtarët e FBI-së thonë se numri i veprave penale mbetet shumë më i ulët se ai i kulmit të viteve ‘90.

Sipas FBI-së, pas dy vjetësh rënie në numrin e krimeve të dhunshme, vitin e kaluar shifra arriti gati 1,2 milionë, duke përfshirë një rritje prej 11 për qind në numrin e vrasjeve, të cilat në total ishin 15.696.

Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch tha të hënën se shifrat tregojnë se “kemi shumë punë për të bërë”, por vuri në dukje se numri i total i krimeve të dhunshme ishte i treti më i ulëti gjatë dy dekadave të fundit. Ajo tha se shifrat e krimeve janë ulur ose nuk kanë ndryshuar në shumë komunitete të Shteteve të Bashkuara.

Numri i përdhunimeve në vend u rrit me 6,3 për qind vitin e kaluar, ndërkohë që sulmet e provokuara u rritën me 4,6 për qind dhe vjedhjet me 1,4 për qind.

Statistikat e fundit të krimit mund të përmenden edhe gjatë debatit presidencial të së hënës mes kandidatit republikan Donald Trump dhe demokrates Hillary Clinton.

Zoti Trump ka dalë në mbrojtje të patrullimeve agresive, përfshirë edhe një thirrje për praktikën e diskutueshme “ndalim dhe kontroll”. Aktivistët e të drejtave civile thotë se ajo praktikë, fokusohet padrejtësisht tek aktivitetet e pakicave. Nga ana tjetër, zonja Clinton ka bërë thirrje për ligje më të rrepta për kontrollin e armëve, gjë që Kongresi e ka refuzuar, edhe pas rasteve të vrasjeve masive në disa qytete të vendit.

XS
SM
MD
LG