Lidhje

Kryeministri i ri italian thotë se Italia ka nevojë për rritje ekonomike


Kryeministri i ri italian thotë se Italia ka nevojë për rritje ekonomike
Kryeministri i ri italian thotë se Italia ka nevojë për rritje ekonomike

Ekonomisti Mario Monti bëri dje betimin për postin e kryeministrit të ri të Italisë, me një mandat për të rivendosur stabilitetin në ekonominë e vendit dhe respektin në politikat ekonomike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin ka intervistuar zotin Monti në një konferencë në Bruksel muajin e kaluar, dhe na sjellë hollësi për mendimet e kryemnistrit të ri italian mbi rolin e udhëheqjes dhe rolin e Italisë në krizën ekonomike evropiane.

Në selinë e Bashkimit Evropian në fillim të tetorit ai ishte një president i respektuar i një universiteti.

Askush nuk e mendonte se disa javë më vonë ai do të emërohej në senatin italian, dhe pothuajse menjëherë u bë kryeministër i vendit.

Zoti Monti tha se në “një kohë veçanërisht të vështirë”, ai dëshiron të ringjalli fuqinë ekonomike të Italisë, duke krijuar rritje ekonomike.

Kjo ishte tema e konferencës në Bruksel, ku ai i tha Zërit të Amerikës se plani evropian i rimëkëmbjes nuk duhet të përqëndrohet vetëm tek vendosja e masave shtrënguese në ekonomitë që janë në vështirësi.

“Gjithë aparati që ishte i nevojshme për të siguruar disiplinën fiskale ndoshta nuk i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme elementeve të rritjes ekonomike, si investimet publike”.

Udhëheqësit francezë dhe gjermanë, të cilët drejtojnë dy ekonomitë më të forta të Evropës, janë më këmbëngulës për vendosjen e masave shtrënguese në Itali dhe vende të tjera në vështirësi. Zoti Monti e kishte këtë vlerësim për punën e udhëheqësve evropianë gjatë krizës:

“Në krahasim me të kaluarën, tani ata janë në rrugë të mirë. Ata duhet të bëjnë më shumë që të kuptojnë se duhet debatuar si udhëheqës të Evropës, dhe jo vetëm si udhëheqës kombëtar.”
Nuk ka dyshim se përvoja zotit Monti do t’i ndihmojë atij në përpjekjet për të gjetur mbështetje për qeverinë e tij të re.

Ai është një përkrahës i fortë i integrimit ekonomik evropian, dhe punuar 10 vjet si zyrtar i lartë i BE-së për çështjet ekonomike. Ekonomisti 68-vjeçar është gjithashtu këshilltar i korporatave dhe anëtar i nivelit të lartë i disa grupeve ndërkombëtare të biznesit. Por ai nuk ka patur post zyrtar në Romë.

Ekonomistja italiane Leila Simona Talani e Kolegjit Mbretëror në Londër thotë se zoti Monti është njeriu i duhur për siq tha ajo “një situatë pak të dëshpëruar” për vendin e saj.

“Ai është një personalitet që mund t’i jap kredibilitet politikave ekonomike italiane, mund t’i sigurojë tregjet dhe gjithashtu mund të zbatojë politikat e rëndësishme të liberalizimit”.

Kjo dozë e besueshmërisë është e nevojshme, pas qëndrimit të gjatë dhe të paqëndrueshëm të Silvio Berluskonit, i cili u detyrua të japë dorëheqjen për shkak të krizës ekonomike.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Monti tha se ai dëshiron t’i rindërtojë marrëdhëniet që janë dëmtuar nga kriza.

“Është me rëndësi të mos lejohet që tensionet që lidhen me krizën në zonën e euros, dhe nganjëherë ndjenjat e këqija në mesin e njerëzve të ndryshëm dhe mes shteteve anëtare, të shaktoj përçarje dhe të dëmtojë tregun. Kjo do të ishte shkatërruese për Evropën”.

Detyra e zotit Monti nuk do të jetë e lehtë. Ashtu si fqinjët e tyre në Greqi, disa italianë kanë dal në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre ndaj masave të ashpra shtrënguese që kryeministri i ri do të duhet t’i zbatojë. Edhe investitorët do të vëzhgojnë nga afër për të parë nëse politikat e tij dhe udhëheqja e tij do të lehtësojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen financiare të Italisë.

XS
SM
MD
LG