Lidhje

Kryengritësit libianë festojnë dezertimin e dy zyrtarëve të lartë libianë


Kryengritësit libianë festojnë dezertimin e dy zyrtarëve të lartë libianë
Kryengritësit libianë festojnë dezertimin e dy zyrtarëve të lartë libianë

Kryengritësit libianë po festojnë dezertimin e dy zyrtarëve të lartë libianë të qeverisë së Moamar Gadafit, ndërkohë që autoritetet në Tripoli njoftohet se kanë shtuar masat e sigurimit për të parandaluar që më shumë zyrtarë të lartë të largohen nga vendi.

Zëdhënësi i opozitës Mustafa Geriani tha dje se forcat antiqeveritare “besojnë se regjimi i Gadafit ka filluar të shembet nga brenda”. Ai foli në qytetin lindor të Bengazit që është kryeqyteti de-fakto i kryengritësve.

Ali Abdesalam Treki, ish ministër i jashtëm dhe presidenti i Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, njoftoi largimin dje në disa faqe interneti të opozitës dhe shkoi në Egjipt. Ai tha se është e drejta e Libisë “të jetojë në liri, demokraci dhe begati”.

Dezertimi i zotit Treki pason atë të ministrit të Jashtëm, Musa Kusa, i cili shkoi të mërkurën në Britaninë e Madhe. Zoti Musa ka qënë për një kohë të gjatë një nga njerëzit më të besuar të Gadafit dhe ishte përshkruar si një nga “shtyllat” e qeverisë së tij.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se dezertimi i zotit Musa tregon se qarqet e ngushta të udhëheqësit libian po shemben. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain na informon se zyrtarët thanë gjithashtu dje se dorëzimi i komandës së misionit në Libi nga Shtetet e Bashkuara tek aleanca e NATOs është pjesë e një prirjeje pozitive.

Sekretari i shtypit të Presidentit Barak Obama, Xhei Kerni, njoftoi se kalimi i operacioneve në Libi nën komandën e NATOs ka përfunduar.

"12 ditë pas fillimit të ndërhyrjes ushtarake në Libi, aleanca e NATOs mori komandën e operacioneve ajrore ndërkombëtare mbi Libi. Përpjekjet e aleancës me emrin e koduar ‘Operacioni mbrojtësi i bashkuar’, ka marrë komandën dhe tani po udhëheq përpjekjet për të vënë në zbatim embargon e armëve dhe zonën e ndalim-fluturimeve për të mbrojtur popullatën civile në Libi”.

Zoti Kerni u gazetarëve se kalimi i komandës tek aleanca e NATOs, siç kishte premtuar Presidenti Obama mori disa ditë dhe jo disa javë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se dezertimi i ministrit të Jashtëm libian, Musa Kusa, në Britaninë e Madhe tregon se qarqet e ngushta të zotit Gadafi e kuptojnë se ditët e tyre në pushtet janë të numëruara.

"Një nga ndihmësit më të besuar të Moamar Gadafit u largua dhe për mendimin tim ky është zhvillimi më i rëndësishëm i ditës së fundit, për sa i përket drejtimit të zhvillimeve në Libi”.
Në konferencën e djeshme të shtypit, zoti Kerni nuk bëri komente për lajmet se Presidenti Obama kishte miratuar ndërmarrjen e operacioneve të zbulimit në Libi. Ai tha se prania e personelit të CIAs nuk përbën shkelje të zotimit të presidentit për të mos dislokuar forca amerikane në Libi.

"Presidenti e ka bërë të qartë se nuk do të dërgojë tupa amerikane në Libi. Qendrimi i tij për këtë çështje nuk ka ndryshuar”.

Në Kongres, Senatori republikan Mark Kirk tha se misioni i Shteteve të Bashkuara në Libi nuk shkon aq larg sa duhet. Ai propozoi se administrata Obama është fare e hapur në planin e saj për largimin nga pushteti të Moamar Gadafit”.

"Mendoj se ky objektiv kuptohet qartë, ai do të mirëpirtej nga aleatët tanë evropainë dhe arabë, si dhe do të siguronte mbrojtjen afat-gjatë të komunitetit civil që ishte prej fillimit justifikimi i administratës për veprimin e saj?”.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Kerni, tha se nuk është marrë asnjë vendim lidhur me armatimin e opozitës libiane. Por ai tha se një vendim i tillë mbështetet nga rezoluta e Kombeve të Bashkuara për autorizimin e operacionit ushtarak në Libi.

"Rezoluta 1973 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara autorizon të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e civilëve në Libi dhe është e qartë se Shtetet e Bashkuara ishin një nga pjesëmarrësit dhe vazhdojnë të jenë. Shtetet e Bashkuara sëbashku me partnerët e tyre po shikojnë gjithashtu për mënyra të ndryshme si ta mbështesin operacionin”.

Zëdhënësi Kerni tha se Presidenti Obama beson se operacionet ushtarake të koalicionit do të kufizohen në kohë, megjithëse ai nuk tha se sa realisht do të vazhdojnë ato.

XS
SM
MD
LG