Lidhje

Serbia anulon një ndeshje hendbolli me Kosovën - përjashtohet nga kualifikimet


Në Serbi, ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç, vendosi anulimin e një ndeshjeje ndërmjet ekipeve të Kosovë dhe Serbisë në hendboll për vajza deri në 20 vjeç, që pritej të luhej sot afër Beogradit.

Ai tha se vendimi kishte për qëllim shmangien e përplasjeve ndërmjet policisë dhe grupeve që kundërshtonin këtë ndeshje.

”A do të mund të organizoheshim që kjo ndeshje të zhvillohej. Gjithsesi që po. Por, cili do të ishte çmimi? Përleshjet e popullit tonë me policinë për gjërat për të cilat ne nuk besojmë dhe janë në kundërshtim me interesat tona. Andaj, nuk jemi të gatshëm që policia të rrahë njerëzit tanë që të zhvillohet ndeshja”, tha ai.

Ndeshja ishte e vlefshme për kualifikimet për kampionatin botëror për kategorinë e junioreve, që do të zhvillohet në Hungari. Në grup me Kosovën dhe Serbinë janë edhe Norvegjia dhe Sllovakia.

Ndeshja pritej të luhej në qendrën sportive Kovillovo afër Beogradit dhe që më parë ishte vendosur që ajo të zhvillohej pa simbole, pa himne, pa shikues dhe pa praninë e medieve.

Grupe nacionalistësh serbë kishin protestuar kundër saj duke e cilësuar të papranueshme dhe jo kushtetuese ndeshjen me Kosovën dhe mospërdorimin e simboleve të Serbisë për shkak të Kosovës.

Federata Evropiane e Hendbollit vendosi ta përjashtojë Serbinë nga kualifikimet pas anulimit të ndeshjes.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizim marrëdhëniesh në shkëmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më 14 tetor të vitit 2014, një ndeshje futbolli ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë që po luhej në Beograd, u ndërpre për shkak të incidenteve të dhunshme që shtuan tensionet politike në rajon.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG