Lidhje

Kontrolli kurd në Sirinë veriore gjatë konfliktit


Ndërsa intensifikohen luftimet në qytetet Alepo dhe Damask të Sirisë, qeveria ka tërhequr trupat e saj nga disa zona kurde në pjesën veriore të vendit. Udhëheqësit kurdë në ato zona kanë krijuar forcat e tyre të sigurisë dhe thonë se synojnë të ruajnë kontrollin në zonat e tyre pavarësisht se çfarë ndodh në konfliktin e Sirisë. Disa kurdë i shikojnë këto zhvillime si një hap drejt përmbushjes së ëndrës së tyre për të pasur shtetin e tyre.

Një mbasdite e nxehtë në qytetin kurd të Afrinit. Kur forcat qeveriatare siriane u tërhoqën kohët e fundit nga Afrini, qyteti u vu nën kontrollin e Partisë së Unionit Demokratik të Kurdëve, e cila ka pikat e kontrollit në zonë, ku valvitet flamuri kurd.
Qindra vetë janë mbledhur në fshatin Jolbul aty pranë për të varrosur një banor vendas, i cili u vra gjatë luftimeve në kuadër të betejës 28 vjeçare të kurdëve separatistë në Turqi kundër qeverisë turke. Shumica e kurdëve të Sirisë e mbështesin këtë betejë dhe shumë prej tyre thonë privatisht se aspirojnë të njëjtin objektiv, krijimin e një shteti kurd në rajonin e tyre.

Kurdët përbëjnë deri në 10 për qind të popullsisë së Sirisë, por nuk janë njohur kurrë zyrtarisht nga qeveria siriane. Kryetari i Partisë së Unionit Demokratik të Kurdëve në këtë rajon, i cili njihet me emrin Hassan, thotë se kurdët tani kontrollojnë rreth gjysmën e zonave kurde përgjatë kufirit të Sirisë me Turqinë, por ai vë në dukje se në këtë rajon ka edhe komunitete jo-kurde.

“Demografia nuk mbështet idenë e pavarësisë dhe ne nuk kërkojmë pavarësi. Ne kërkojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të vetëvendosjes, jo ndarje, por autonomi demokratike”.

Kurdët nuk mbështesin asnjërën palë në konfliktin 17 mujor mes qeverisë së Presidentit Bashar al-Assad dhe rebelëve të Ushtrisë Siriane të Çlirimit. Komandanti Hassan thotë se asnjëra palë nuk është e gatshme të njohë identitetin e kurdëve ose kërkesat e tyre, prandaj lufta e tyre do të vazhdojë.

“Çfarë do që të ndodhë, për sa kohë që regjimi sulmon popullin kurd dhe vazhdon politikën e tanishme lidhur me ne, populli kurd do të vazhdojë sakrificat dhe do të rezistojë deri në pikën e fundit të gjakut”.

Gjithsejt popullata kurde arrin deri në 30 milionë dhe shtrihet në zona të ndryshme të Turqisë, Sirisë, Irakut dhe Iranit. Aspiratat e tyre përbëjnë shqetësim për qeveritë qendrore të këtyre vendeve. Kurdët e Sirisë, të rrethuar nga konflikti, janë në një pozitë delikate, por lufta u ka thënë atyre një liri të re, për të cilën ata zotohen se nuk do ta dorëzojnë kurrë.
XS
SM
MD
LG