Lidhje

Vrasja e tre aktivisteve kurde shkakton debate


Kurdët dhe turqit akuzojnë njëri-tjetrin për vrasjen e tre grave në Paris

Kurdët kanë akuzuar Turqinë për vrasjen e tre veprimtareve kurde në Paris, ndërkohë që zyrtarët turq kanë lënë të kuptohet se vrasjet mund të jenë pjesë e një grindjeje të brendshme ose e një përpjekjeje për të devijuar bisedimet e paqes.

Kryeministri i Turqisë tha sot se vrasjet e tre aktivisteve kurde në Paris mund të kenë qenë rrjedhojë e një grindjeje mes kryengritësve kurdë, duke theksuar se për të hyrë në ndërtesën ku ato u gjetën të vrara, nevojitej një kod.

Trupat e tre grave - njëra prej tyre anëtare themeluese e një grupi kurd që lufton për autonomi më të madhe në Turqi - u gjetën dje brenda një qendre kurde informacioni në Paris.

Një 36-vjeçar kurd me emrin Rodi, ia hedh fajin qeverisë turke.
“Këtë e ka bërë qeveria turke, sepse në Turqi është e njëjta histori, ata kanë një histori vrasjesh.”

Mirëpo, sipas Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, fakti që për të hyrë në ndërtesë duhet një kod, tregon se ose ndonjëra nga gratë e njihte vrasësin, ose vrasësi e kishte kodin.

Ndërkohë, në Diyarbakir, qyteti më i madh në juglindjen e Turqisë të mbizotëruar nga kurdët, banorët shprehën zemërim për ngjarjen:

“Ky sulm nuk u ndërmor thjesht ndaj 3 njerëzve por ndaj gjithë popullit kurd dhe qëllimi i tij ishte prishja e paqes,” thotë dietologia Savas Uzala.

Policia franceze tha se trupat e tre grave u gjetën me plagë plumbash në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Ngjarja ndodh ndërkohë që bisedimet mes qeverisë turke dhe udhëheqësit të burgosur kryengritës Abdullah Oçalan për t'i dhënë fund kryengritjes 28-vjeçare kurde thuhet se janë në fazat e fillimit.
XS
SM
MD
LG