Lidhje

Kush mund të quhet “amerikan i vërtetë”?


Pothuajse një e katërta e amerikanëve besojnë se të krishterët e lindur në SHBA janë “amerikanët e vërtetë”, por një numër i madh amerikanësh thonë se trajtimi njëlloj i njerëzve dhe marrja e përgjegjësisë personale për veprimet individuale janë prova e vërtetë e të qenit amerikan.

“Njerëzit besojnë se idealet janë thelbësore për të qenë amerikan, më shumë se sa identiteti apo prejardhja”, thotë Caleb Elfenbein, profesor i asociuar i historisë dhe studimeve fetare në Kolegjin Grinnell, që organizoi një anketim për këtë temë në nivel kombëtar.

Zoti Elfenbein thotë se “90% e të anketuarve u shprehën se besojnë që trajtimi i barabartë i të tjerëve është thelbësor për të qenë amerikan”.

Anketimi kombëtar i Kolegjit Grinnell, i zhvilluar gjatë muajit të kaluar, anketoi rreth 1 mijë amerikanë mbi moshën 18 vjeç.

24% e të anketuarve thonë se “amerikanët e vërtetë” janë të lindurit në Shtetet e Bashkuara. 23% thanë se amerikanë autentikë janë ata që kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara gjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre. 23% thanë se duhet të jesh i krishterë që të quhesh “amerikan i vërtetë”.

Ata që kanë një perceptim më të ngushtë të të qenit amerikan janë më tepër republikanë se sa demokratë. 32% e republikanëve mendojnë se të jesh lindur në Shtetet e Bashkuara është shumë e rëndësishme për të qenë amerikan, ndërsa në radhët e demokratëve mendojnë kështu vetëm 18%.

Konsensusi është më i gjerë përsa i përket rëndësisë së të folurit të anglishtes. 44% e të anketuarve besojnë se amerikanët duhet të flasin anglisht, ndër ta 62% e republikanëve, 29% e demokratëve dhe 44% e të pavarurve.

Megjithë debatin publik me tone të larta për çështjen e emigracionit, anketimi konstatoi se amerikanët përgjithësisht e mbështesin emigracionin. Shumica e të anketuarve besojnë se emigracioni duhet të vazhdojë në nivelin aktual ose të rritet më tej.

Zoti Elfenbein thotë se megjithë periudhat e histerisë publike në historinë amerikane rreth kësaj çështjeje, njerëzit e shohin emigracionin si pjesë thelbësore të vendit.

Sipas tij, “mesazhi është se politikanët nuk ka pse të jenë skeptikë ndaj emigracionit për të qenë të suksesshëm në klimën e sotshme dhe se megjithë tonet e larta në skenën publike amerikane, kjo nuk përbën shumicën e njerëzve”.

Studimi tregon se urrejtja është më e pranishme se në të kaluarën, në veçanti ndër amerikanët mbi 35 vjeç. Shumica e të anketuarve nën 35 vjeç thanë se urrejnë dikë, ose një grup apo organizatë. Ndërsa shumica e të anketuarve mbi 35 vjeç u shprehën se nuk urrejnë dikë.

Amerikanët gjithashtu besojnë se grupe të caktuara etnike apo fetare përballen me diskriminim. 56% besojnë se myslimanët përballen me diskriminim. 52% mendojnë se edhe afrikano-amerikanët, edhe personat e komunitetit LGBT përballen me diskriminim.

Zoti Elfenbein thotë se “duhet të eksplorojmë se çfarë hapësirash kanë komunitete të caktuara në vend për të marrë pjesë vërtet lirisht dhe vullnetarisht në jetën publike, në kushtet kur urrejtja zë vend. Do të ishte e ndershme të shtronim pyetjen se sa e shijojnë të gjithë njerëzit privilegjin e të vendosurit si, kur dhe ku të marrin pjesë në jetën publike”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG